MENU
klinika

Nga Mero Baze

Ilir Meta si spiun dhe Edi Rama si vizatues spiunësh

30.07.2022 - 20:20

Zakonisht në praktikat e akuzës amerikane, kur dikujt i vihen prangat pas akuzës i thuhet që ke të drejtë të mos flasësh dhe të marrësh avokat.

Në rastin konkret ndaj Ilir Metës, është ngritur një dyshim publik që është akuzë shumë e rëndë për të si politikan. Ai ka të drejtë të heshtë, ose të bëjë avokatin e tij, duke tërhequr dosjen dhe duke e bërë publike.

Sot ai nuk ka bërë asnjë prej këtyre të dyjave, por ka bërë një veprim që tregon se në koshiencën e tij, ai e pranon të qenit bashkëpunëtorë sigurimi dhe shfajësohet se ka të tjerë më të këqinj se ai që i kanë shërbyer. Dhe më i keqi sipas tij është Edi Rama, se ka bërë një skicë ilustruese për spiunët tek revista “Në shërbim të popullit” kur ishte student.

Pra Ilir Meta ka filluar të sillet si një ish- bashkëpunëtorë sigurimi që kërkon të shfajësohet, duke u krahasuar me të tjerë. Me postimin e sotëm për Edi Ramën, ai do të na mbushë mendjen të gjithëve se ai nuk ka bërë ndonjë gjë më të keqe se sa Edi Rama duke i shërbyer Sigurimit të Shtetit.

Në fakt as ne nuk duam ta krahasojmë këtë. Pasi nuk ka ndonjë debat për Edi Ramën në këtë drejtim. Ai është gati ta hapë dosjen e tij në çdo kohë, nëse ka dyshime për të si spiun. Kurse si “karikaturist spiuni” ai nuk e mohon se e ka zanat.

Madje nuk jemi kundër as të gërmohet në krijimtarinë e tij se mund ti gjejmë dhe skica apo vizatime të tjera të kohës diktaturës që i shërbenin propagandës. Kjo është çështje e profilit publik të Edi Ramës, jo e profilit sekret të tij. Atij dhe jetën sekrete ja kemi nxjerrë, kur ka dalë foto nudo. S’kemi më kuriozitete për atë.

Por debati që ne kemi, është kush ka qenë spiun. Ilir Meta e ka të lehtë të na e heqë nga duart këtë debat dhe të autorizojë Autoritetin e dosjeve të kërkojë për dosjen e tij, apo çdo bashkëpunim të tij me Sigurimin e Shtetit, si bashkëpunëtor, si denoncues apo si dëshmitar. Të gjitha janë njësoj të penalizueshme.

Por ai në vend të kësaj, poston skica të Edi Ramës me tematikë nga Sigurimi i Shtetit, për të na treguar se nuk është vetëm Ilir Meta që i ka shërbyer Sigurimit. “Ja dhe ky paska bërë skica dhe i ka botuar”.

Problemi është se këto janë publike dhe i gjejmë në revista. Ato denoncimet e Ilir Metës janë kyçur me amendamentin e LSI. Ato na duhen.

Pastaj Ilir Meta është i lirë të thotë : “Unë s’kam bërë ndonjë gjë të keqe se spiun kam qenë. Po Edi Rama që ka vizatuar spiunë është e keqja e këtij vendi.” Në fakt nuk është se e ka vizatuar keq atë si spiun.