MENU
klinika

Nga Mero Baze

Megjithatë, Ilir Meta e ka arritur suksesin e parë

11.08.2022 - 21:01

Ilir Meta ka vendosur që njerëzit të merren me të, më shumë se sa ai të merret me ata. Fjala vjen, ka vendosur që njerëzit t’i thonë që dukesh idiot kur kërcënon fizikisht me “thyerje në mes” kundërshtarin. Një fjalor ekstrem i lacave të lagjeve në vitet ‘80. Ilir Meta nuk është se nuk e di këtë. Ai ka arritur mjaftueshëm vëmendje negative pas kësaj.

Në mëngjes poston një foto të Kabulit dhe thotë se është Tirana e mbuluar me tym. Natyrisht që dhe këtu tërheq qindra mijëra komente negative.

Mbasdite shkon në Durrës dhe sulmon investimin e pritshëm më të madh të historisë së Shqipërisë në këto 30 vjet, që mund të ndryshojë tërësisht historinë e ekonomisë shqiptare dhe pritet t’i rrisw Durrësit vlerën si qytet disafish. E di që e mallkon çdo durrsak për këtë, ose minimumi e quan idiot. Nuk mërzitet për këtë.

Kujdesi i tij i vetëm është që fjalori të jetë ekstrem dhe nuk ka rëndësi nëse ngjan si i çmendur, paranojak, apo budalla. Rëndësi ka që askush tjetër të mos e bëjw atë që bën ai.

Dhe në këtë pikë suksesin e parë e ka arritur. Sali Berisha, rivali i tij kryesor në opozitë, që shquhet për gjuhën e baltës dhe fantazinë për të shpikur gjëra që mendja i kap me vështirësi, ngjan i zhdukur nga skena.

Edhe pse çdo natë përpiqet të bëjw ndonjë punë, herë mbledh ekspertw të partisë e herë të çmendur të shoqërisë civile të partisë, sërish nuk tërheq dot më vëmendje. U duket të gjithëve si një plak i lodhur.

Ilir Meta ja ka dalw ta vërë në pozitë të vështirë, duke ngritur stekën e marrëzisë së tij në atë nivel sa është e gjitha e tij. Pjesa tjetër e opozitës, ose duhet të ndjekw marrëzinë e tij, ose do të bëjw punë e vet, që krijon perceptimin e fortw të ndarjes së dy opozitave.

Dhe e gjitha ngjan një hakmarrje ndaj Sali Berishës, për mënyrën se si e ka përdorur dosjen e tij ende pa u bërë publike dhe qëndrimin e pabesueshëm hipokrit kur ajo u bë publike.

Ilir Meta është duke i treguar atij se nuk ka fuqi ta ndjekw në marrëzinë e tij. Dhe në të vërtetw, Sali Berisha nuk ka fuqi, edhe pse ka bërë dhe bën plot marrëzi. Por deri këtu nuk shkon dot.

Ilir Meta praktikisht ja ka marrë atij gjithë vëmendjen që zgjon negativitet në opozitë, duke rrezikuar gjithçka. Dhe e ka lënë në hije Sali Berishën.

Nuk dimë nëse kjo është mirë apo keq për Ilir Metën, pasi kjo mund t’i bëjw më shumë nder Sali Berishës, nëse nuk çmendet dhe ai në këtë shkallë.

Por Ilir Meta nuk ka kohë të presw deri atëhere, kur të provohet. Deri atëherë ai do të ndjehet i pari. Qoftë dhe si i marrë. Dhe po ja arrin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN