MENU
klinika

"S’kam ndërmend të largohem"

Prapaskenat e një dorëheqjeje në Kupolën e Policisë, përgjigjet Gledis Nano

30.08.2022 - 09:49

Orët e para të së djeshmes u bë me dije se Gledis Nano, kreu i Policisë së Shtetit, kishte dhënë dorëheqjen. Ishin mediat online që dhanë lajmin për largimin e tij me dorëheqjeje, por që askush nga Policia e Shtetit nuk e konfirmonte dhe as nuk e mohonte.

Orë më vonë, kur nisen jo vetëm hamendjet e para se mes tij dhe ministrit të Brendshëm kishte pasur një përplasje në zyrën e këtij të fundit, u lakuan edhe dy emrat e mundshëm që mund të zëvendësonin Nanon në krye të Policisë. Po ndërkohë informacionet ishin të shumta përballë heshtjes së autoriteteve përgjegjëse, Gledis Nano arriti ta mohonte dorëheqjen. Ai pohoi për mediat:

“Nuk jam dorëhequr dhe nuk kam ndërmend të dorëhiqem”, duke lënë të kuptohet se rasti i tij nuk është ai i pararendësve kur japin dorëheqje të kërkuar. Mbrëmë, burime konfidenciale bënë me dije se janë pikasur dy emrat e parë, prej të cilëve pritet të zgjidhet edhe kryepolici i radhës. Bëhet fjalë për Muhamet Rrumbullakun, një prej funksionarëve më të vjetër në radhët e kësaj strukture dhe Lorenc Panganikës, edhe ky me karrierë të pasur dhe prej shumë e shumë vitesh ka qenë në krye të drejtorive të qarqeve, që nga Korça e Berati deri në Shkodër dhe Tiranë. Por kreu i Policisë së Shtetit bëhet me dije se në një bisedë që ka pasur me gazetarin e Euronews ka thënë se nuk e kuptonte atë sulm ndaj tij, pasi po aludohej për dhënie dorëheqjeje.

DYSHIMET MBI DORËHEQJEN-LARGIM

Informacioni i parë për dorëheqjen e tij u bë publik nga media ‘Lapsi’! Aty përveç se u tregua se ai kishte dorëzuar dokumentin e dorëheqjes, dhanë edhe disa motive që duhet ta kenë çuar drejtorin e Policisë së Shtetit në këtë vendim. Ata sollën në vëmendjen e publikut një mori ngjarjesh tronditëse të kohëve të fundit, ku iu referuan tri atentateve të bujshme me 6 viktima, ngjarjes së Potamit, ndër më të rëndat e ndodhura viteve të fundit, si dhe arrestimin e disa policëve. Por më pas mediat aluduan edhe për një shkarkim të mundshëm që mund të ketë ardhur nga kreu i qeverisë, ndonëse ende i paargumentuar konkretisht se përse duhet të largohet një kryepolic që ende nuk e ka mbushur një vit në krye të Policisë së Shtetit.

Por reagimi pas më shumë se 6 orësh nga vetë Nano tregoi që në fakt ai nuk ka dhënë dorëheqjen, por në komunikimin që ka pasur me gazetarë ai nuk ka folur nëse është shkarkuar apo i është kërkuar dorëheqje. Ai i ka konsideruar gjithë ato të dhëna që kanë falë gjata paradites së djeshme si sulm i përqendruar ndaj tij dhe që ai nuk e kupton fare se pse po ndodhnin.

Ndonëse mediat raportuan për orë me radhë se nuk kishin mundur të lidheshin me drejtorin e Policisë, Gledis Nano, për t’i marrë një prononcim në lidhje me atë çka po flitej, nëse ishte e vërtetë apo jo. Por ajo që u mësua më vonë ishte se kreu i Policisë së Shtetit ishte përgjigjur e madje shumë i habitur orëve të pasdites, duke mos e kuptuar se përse po sulmohej pasi ai nuk e ka dhënë dorëheqjen.

NGJARJET E RËNDA QË TRONDITEN VENDIN

Gledis Nano erdhi në krye të Policisë së Shtetit në kohën kur në fakt organizata e Policisë ishte dhe mbartte probleme mjaft të mëdha. Ai u përpoq të bënte riorganizim të strukturave drejtuese me idenë se mund të ndryshonte diçka ose mund të ndryshohej diçka, por realiteti i krimit në vend dhe inkriminimi i punonjësve të Policisë së Shtetit ishte thuajse në nivele alarmante.

Plagosja e Nuredin Dumanit në një atentat në Papër të Elbasanit, ikja e tij i plagosur nga Elbasani në Fier dhe më pas sinjali i dalë prej tij se donte të dorëzohej te Policia, bëri që në fakt veç të tjerave të dëshmohej se Policia e Shtetit ose nuk kishte informacion për lëvizjet e vrasësve me pagesë ditën për diell e me ushtri pas vetes, ose ata ishin në dijeni dhe nuk vepronin. Sjellja në pranga e Dumanit dhe e Henrik Hoxhës, vrasësit tjetër, mik i Dumanit, më pas rrëfimet e tyre nën statusin e të penduarve, nxorën emra efektivësh të Policisë, të përfshirë në grupe.

Po ndërsa SPAK lëshoi urdhërarreste sipas të dhënave që dhanë dy vrasësit e penduar, një pjesë e mirë e tyre nuk u gjenden në vendet ku pretendohej se gjendeshin. Ngjarje e pas dëshmive ua lanë vendin atentateve dhe tragjedisë së Potamit. Sërish Nano bëri lëvizjet e veta për të bërë të mundur riorganizimin e Policisë Kriminale për të përballuar situatën e rëndë, në të cilën po gjendej vendi në kulmin e sezonit turistik!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN