MENU
klinika

"Është rruga e vetme që i ka mbetur"

A do ketë dhunë në shtator? Bedri Islami: Berisha do ta provojë sërish

02.09.2022 - 12:27

Për shumë kënd është e pritur që shtatori i këtij viti të sjellë trazira dhe të ketë dhunë. Sali Berisha dhe Ilir Meta thuajse çdo ditë predikojnë pikërisht këtë: shtatori do jetë muaji i gjëmës politike për qeverinë Rama. Edhe vetë shefi i qeverisë e di këtë, për më tepër, e josh këtë.

Të gjithë ata që kanë pritur se rikthimi i Berishës në drejtimin e PD-së do të jetë edhe fundi i luftës së tij politike, pasi çmontoi ekipin Basha, tani e dinë fare mirë se ky është vetëm fillimi i një nisje të re, që, aq sa do të ngjasojë me vitin ’91, sidomos muajt e fundit të tij, apo me vitet e tjerë opozitarë, aq do të jetë edhe i ndryshëm.

Ata, veshë mbyllur nga e vërteta , tashmë jo vetëm që janë të zhgënjyer në pritjen e tyre, por edhe e ndjejnë se gjithçka po mbarset me një tension të ri. Ndryshe nga sa pritnin, Berisha e shtriu synimin e tij përtej së pritshmes; ai nuk synon më vetëm “të sjellë ndryshimin” dhe të largohet nga jeta aktive politike, por tashmë ka shpallur synimin të jetë “kryeministri i ardhshëm” i këtij vendi.

Militantët që kanë bindjen se, vetëm përmes tij mund të rrëzohet Rama, kanë pritur që drejtuesi i tashëm faktik i opozitës të bënte rrëzimin e qeverisë së tashme, por jo të jetë ai vetë krye-qeveritari. Si me thënë, do ta bënte përmbysjen e madhe përmes një mendimi të ri, ekipi modern në politikë dhe ndryshe nga ai që përzuri; përmes mendjes e jo dhunës, afrimit të mençurve e jo të njëjtëve që janë stërsprovuar etj, etj.

Në të kundërtën, ai po mbjell me gjithë mundësinë e tij, vrerin për pushtetin dhe mallkimin për rrëzimin e tij. Mallkimin e ka të veçantë; ndaj ekipit të sotëm qeveritar, por edhe ndaj njerëzve që nuk e paskan kuptuar se sa shumë ky “baba i kombit”, mendon për të mirën e tyre.

Në thelbin e diskursit të tashëm politik është shtatori. Shtatori i një gërdalle larguar nga pushteti, apo më saktë, përzënë prej pushtetit, dy herë; herën e parë përmes një lëvizje të gjerë në ’97, dhe së dyti, përmes votës plebishitare kundër tij. Tri herë të tjera, e majta do të fitonte zgjedhjet politike me apo pa Berishën aty ku është sot.

Tani ka përballë një opozitë të ndarë, të zemëruar, me ide të cunguara dhe ekip të shpërndarë. Nëse ata, opozita, sot ankohet se votat iu vodhën apo u blenë, se në fushë betejë politike janë futur struktura jashtë forcave politike, se përplasjet kanë qenë të qëllimshme dhe përgjegjësi është Edi Rama, ata duhet ta kishin ditur se kompromiset qeveritare, viti 2017 dhe largimet nga institucionet, viti 2021, është e pamundur të kenë lindur vetëm në kokën e Bashës, edhe ashtu drejtues mediokër dhe pa ndjenjën e së mundshmes në politikë, i përkëdhelur – ende pa e ditur se çfarë mund të bëjë dhe, në të njëjtën kohë, përfitues.

Plani i Berishës është më i gjere se deklaratat e tanishme politike, më i thellë se ajo që ka shfaqur deri tash, e po ashtu, më i rrezikshëm se sa një llomotitje “sa kohë të duan” në parlamentin e Shqipërisë.

Berisha po përgatitet për një përmbysje me dhunë të pushtetit të sotëm; ai nuk duron që nga njeriu i pardesysë së bardhë të bëhet njeriu i shpallur “non grata”, i vënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Britania e Madhe në të njëjtën radhë me Tom Doshin apo Aqif Rakipin.

Duke qenë njeri pa pushtet, ai e ndjen se shumë shpejt, në ciklin e një harku politik të shkurtër, nëse nuk bën përmbysje në zgjedhjet vendore më të afërta, do t’i ulet ndikimi edhe te më të flakëtit e vet. Ai sigurisht do mbetet një besnik i dhunës, pasi ndryshe nuk di; do mbetet ai njeriu politik që përdhunshëm ka shkelur çdo ligj, juridik e njerëzor, që pas buçitjes atdhetare për rrëzimin e një “qeverie antikombëtare” nuk ka asgjë tjetër veçse hipokrizia e ish-dështaku që rikërkon pushtetin. Ai nuk frymëzon më, por tashmë që aritmetika e votave ia ka marrë vendin ideologjisë, vazhdon shpreson. Në çdo rast, është e qaetë: çdo gjë që bën ka pasur dhe ka vetëm një qëllim; riafirmimin e tij në politikë, krijimin e një raporti të ri me diplomacinë ndërkombëtare, e më tej, fshehjen e asaj që ka ndodhur në familjen e tij biologjike dhe politike.

Sa më tepër që të zgjasë periudha e qëndrimit të tij i lirë dhe i pandëshkuar, aq më e hapur do të jetë mundësia e diagnostikimit të plotë të rikthimit të tij, dhe aq më tej do të vazhdojë keqqeverisja pa alternativë, dhe më tej, degradimi i klasës politike në Shqipëri.

Berisha nuk është shpresa, por e kundërta, nuk është zgjidhja, por problemi, nuk është as e tashmja dhe as perspektiva. Por ai mund të vërë në alarm një qeveri që, aq sa ka drojë nga shpërthimet e shtatorit, aq edhe u gëzohet atyre.

Fakt është se dy liderët aktualë të opozitës, secili më vete dhe të dy së bashku, po i drejtohen rrugës radikale, si rruga e vetme drejt pushtetit. Berisha planin e tij të rikthimit përdhunshëm e ka skicuar duke e ditur se nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe se vetëm rikthimi në qeverisje është ri afirmim në diplomacinë ndërkombëtare.

Mundësia e parë: Rikthimi përmes përmbysjes ekonomike:

Të gjitha qeveritë, kur vijnë në pushtet, qoftë edhe për arsye populizmi, bëjnë dhurata. Kjo është një traditë e hershme e pushtetit të ri. Dikur, të gjithë mbretërit, në ditën e kurorëzimit, hidhnin para nga dritarja. Qeveria e sotme, e drejtuar nga Edi Rama, këtë vit, jo vetëm që nuk do të bëjë një dhuratë shtesë, sipas ritit të pushtetit, por të heqë përfundimisht edhe atë që bënin dikur paraardhësit e tyre: rrogën e 13-të në pragun e vitit të ri.

Të duket e çuditshme pse ndodh kjo, por fakti është se buxheti i shtetit është i zbrazur, me gjithë mbushjet që po bëhen këto muaj nga rritja e çmimeve. Ajo që quhet arka e shtetit, ka mbetur krejt thuajse bosh, me borxhin më të rëndë publik, sa tashmë nuk mund të flitet për dhurata, por për mbijetesë. Tenderimet e mëtejshme, me financime të zmadhuara jashtë çdo mendimi ekonomik, transferimi i shumë të drejtave vendore në qeveri, deri te çadrat e plazhit, borxhet ndaj kompanive private, PPP-të, e drejtimi pa mendim ekonomik, përmes një ekipi sill nga hiçi e bëje ministër, nuk është në dobi të vendit, por i sjell dobi luftës politike.

Qetësia me të cilën duket se e kanë marrë socialistët këtë humnerë, të cilën e shohin, por nuk e mbushin, i jep shpresën e re Berishës se ka gjetur një modus vivendi të jashtëzakonshëm për të bërë “përmbysje të madhe”, dhe për më tepër, të realizojë një shkapërcim drejt pushtetit në këtë prag të fundit të fuqive të tij politike e njerëzore.

Mirëpo i gjithë ky skenar ka një të metë, që nuk përputhet me karakterin e Berishës dhe natyrën e tij shpërthyese. Ka të metën e kohës. Koha është armiku i saj dhe Berisha e di këtë. Për të pasur sukses kjo përmbysje ekonomike Berishës dhe skifterëve pranë tij, i duhet të presë, por ai nuk mund të presë. I duhet të ketë shembull pozitiv i qeverisjes së tij, por nuk ka të tillë.

Ai ende ndjen angështi kur mendon se i gjithë ky mision i tij mund të përmbyset. Ai kishte ankth të jashtëzakonshëm kur u diskutua mundësia e një ndihme të fuqishme ekonomike të SHBA ndaj shtetit shqiptar, apo nga investimet që mund të bëhen. Lufta ndaj çdo investimi të huaj në Shqipëri, pa asnjë dallim, bën që të injorohet edhe kur është një shqetësim i drejtë dhe faktet flasin për keq qeverisje, korrupsion apo mungesë mendimi ekonomik.

Koha pra, është armiku i Berishës në kalkulimin e parë. Ai nuk do presë gjatë.

Rikthimi përmes dhunës së rrugës

Kjo është rruga që Edi Rama do të donte më shumë se kushdo të përdorej nga opozita. Ka disa kohë që, si asnjëherë më parë, Berisha po gjen krahasime me vende të tjera , në të cilat ndodhin revolta, për të bërë përngjasimin me atë që dëshiron të ndodhin në Shqipëri. Atë e joshin shembuj të tillë, qofshin edhe në fund të botës. Thirrjet e tij, qoftë nëpër foltore, qoftë në mediat sociale, janë kaq të furishme, por edhe kaq të rrezikshme, saqë në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian, ata jo vetëm do të dënoheshin, por i çarturi që do t’i thoshte nuk do kishte asnjë shans në politikë.

Në fakt radikalizmi i skajshëm politik i Berishës, dhe jo vetëm i Berishës, por i gjithë klasës politike shqiptare, – që shpesh më ngjan me radikalizmin vehabist në metodat dhe përçartjet e tij, – duhej të ishte prej kohe jashtë lojës politike në Shqipëri. Ka ndodhur edhe në vende të tjera, jo shumë larg nesh, që njerëz të njohur të politikës, edhe kryeministra, për shkak të qëndrimeve të tyre ultra radikale, janë shpallur të padëshirueshëm për jetën politike dhe janë përzënë prej saj.

Fakt është se Berisha po përgatit edhe njëherë njerëzit e tij për bllokimin e institucioneve dhe të jetës normale të vendit, për krijimin e një gjëndje pasigurie në të gjithë vendin; për krijimin e një psikoze se jemi në fillimin e një katastrofe të gjithanshme, dhe, për t’u përballuar kjo , domosdo, duhet të vijë ky në pushtet sërisb.

Falangat e tij janë shpresa e Berishës, ndaj i nguc ata, i frymëzon, i shumëfishon, u jep shpresën se nuk janë vetëm, krijon zyra fantazmë për mbrojtjen e tyre, i regjistron, (krijon kështu listë- sulmin e mundshëm militant), dhe kur mendon se kjo listë është e mjaftueshme, i vendos ata në funksion të skalionit të parë: militantëve të rrugës, që nuk janë të paktë në partinë e tij.

Kjo do të jetë edhe ëndrra më e bukur e shefit të tanishëm të qeverisë, për kthimin në realitet të së cilës ai është i gatshëm të investojë.

Zakonisht rrëmujën e madhe Berisha e bën ose në fillim të pranverës, kujtoni 2 prillin në Shkodër, ose në fillimin e vjeshtës, kujtoni shtatorin e vitit 1998. Më e mundshme që këtë lëvizje ai ta fillojë që në javën e tretë të shtatorit, dhe këtë tashmë e thonë edhe institucione të rëndësishme studimore të politikës evropiane.

Ai, fillimisht, kërkon të skifterojë partinë, që e bëri përmes “zgjedhjeve të reja” brenda forcës së tij politike. Por Berisha nuk do të ishte Berishë nëse ai do të ndalej këtu. Më e mundshmja, por edhe më e rrezikshmja, është synimi i përmbysjes së qeverisë përmes rrugës radikale, të cilën ai e ka provuar një herë dhe mendon ta provojë edhe një herë tjetër: përmbysjen me dhunë, përmes një grushti shteti. Duke parë se gjendja mund t’i shkasë nga duart, ai do e provojë këtë edhe një herë.

Do të jetë triumfi i Edi Ramës. Nëse Berisha do të shkojë në demonstrim force me mendtë e Ilir Metës, atëherë do të jetë edhe fundi i pa shmangshëm politik i tij.

Berisha prej kohe ka rreth vetes një grusht besnik njerëzish, të përgatitur, që kanë qenë ose janë pjesë e strukturave të specializuara të ndërhyrjeve policore apo ushtarake. Të grumbulluar në struktura të ditura nga ai dhe një grup i vogël rreth tij, ata janë të gatshëm që përsëri, si në shtatorin e vitit 1998, të hipin mbi tanke dhe të sulmojnë ndërtesat qeveritare. Ky grusht disa dhjetëra njerëzish, është ajo që mund të quhet “elita ushtarake”. Këtë e provoi edhe Gazmend Bardhi, ndoshta figura më e rrezikshme që ndodhej në ekipin Basha.

Cila prej tyre do të ndodhë?

Berisha dhe përgjithësisht opozita është në cakun e fundit të zgjedhjes së rrugës. A do e gjejë këtë? Nuk e di. Shpesh herë është vërejtur se inatet e mëdha dhe shpërthimet e pakontrolluara nuk sjellin dobi. Në kaq vite në politikë ai , jam i bindur se ka mësuar që, askush nuk mund të përsëritë më vite të errëta të përmbytjeve të dhunshme. /Dita

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qasja e pakicës serbe në Kosovë, në dukje e parrezikshme...

Bedri Islami: Një shtet brenda shtetit!

A do të vazhdojë e njëjta tabllo edhe pas 25 prillit?

Bedri Islami: A mund të përparojë shteti pa ndëshkimin e klasës politike?