Sokol Kushta, ish-futbollisti i famshëm i Kombëtares, me anë të një statusi në profilin e tij në ‘Facebook’, ka prekur çështjen më të nxehtë, atë të trajnerit Edy Reja. Ish sulmuesi vlonjat ka shpërthyer në akuza ndaj italianit, ndërsa ka edhe një apel për presidentin Armand Duka:
“Pas shiut thonë del dielli…Do presim të shikojmë reagimin e presidencës si do veprojë me zgjedhjen e trajnerit të ri. Por ne duhet të heqim dorë nga këta trajnerë delirantë, prepotentë, cinikë dhe intrigantë.
Ky trajner, që në asnjë ndeshje nuk mori përsipër një herë të vetme mbi shpatulla gabimin e tij, por e delegoi mbi të tjerët, mbi lojtarët, mbi barin e fushës, mbi arbitrin, por asnjëherë mbi vete, tregon mungesë të theksuar karakteri dhe në këtë moshë që është.
Dhe si i pacipë pret që të vendosë presidenti për kontratën e re. Presidenca duhet të zgjedhë një njeri punëtor, me karakter, luftarak, të respektojë popullin dhe mentalitetin shqiptar.
P.sh. ka trajner si Gattuso, që kur vajti në Greqi, pagoi me lekët e tij rrogat e lojtarëve. I mbështeti dhe u doli në krahë në çdo moment, një njeri me zemër dhe me emër të madh që do punën.
Prandaj duhet ta shikoj mirë kë trajner do të zgjedhim, sepse elementi dhe talenti në këta djem nuk na mungon, që sa më shpejt ata tifozë që i kthyhen kurrizin dje, të rikthehen sa më shpejt me lojtarët tanë” – shkruan Kushta.