MENU
klinika

Si ka ecur dhe çfarë e pret ekonominë

Raporti i stabilitetit financiar për 6-mujorin e parë të 2022

30.09.2022 - 13:34

Çmimet e larta dhe kriza energjetike mund të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Paralajmërimi është bërë nga Banka e Shqipërisë.

Në raportin e stabilitetit financiar për 6-mujorin e parë të këtij viti, të botuar dje, vihet në dukje se pavarësisht rimëkëmbje, pasiguritë që vijnë nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura mbi Rusinë si edhe nga kriza energjetike mund të frenojnë aktivitetin ekonomik. “Ritmi i rritjes ekonomike ishte i mirë, pavarësisht ndikimit negativ të zhvillimeve ekonomike në arenën ndërkombëtare. Në këtë ecuri, kontribuuan pozitivisht konsumi, investimet dhe eksportet neto. Në vijim të rritjes së çmimeve të importit dhe fuqisë së kërkesës së brendshme, norma e inflacionit u rrit në mënyrë të ndjeshme. Si rezultat, Banka e Shqipërisë ka nisur procesin e normalizimit të politikës monetare. Pavarësisht rimëkëmbjes me bazë të gjerë të aktivitetit ekonomik në vend, pasiguritë për zhvillimet ndërkombëtare dhe situatën energjetike, mund të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes ekonomike”, thuhet në raport ku vihet në dukje po ashtu politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të përshtatet për të rikthyer normën e inflacionit pranë objektivit në afatin e mesëm, mbështetur në të dhënat që vijnë nga ekonomia në kohë reale.

PASOJAT

Nga ana tjetër, rënia e aktivitetit ekonomik si pasojë e krizës në sektorin energjetik dhe çmimeve të larta mund të ndikojë në sektorin bankar, si edhe në rënien e aftësisë paguese të bizneseve e të familjeve. “Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë periudhës ishin pozitive, ndonëse rritja ekonomike dhe çmimet e larta të energjisë dhe të ushqimeve në tregun ndërkombëtar, ruajtën presione të theksuara inflacioniste. Në këto kushte ka nisur normalizimi i politikës monetare për uljen e normës së inflacionit në afatin e mesëm dhe po merren masa të natyrës fiskale dhe administrative për sigurimin e energjisë së nevojshme për ekonominë. Për shkak të çmimeve të jashtëzakonshme të energjisë në tregun ndërkombëtar dhe pozicionit të vendit tonë si një “importues neto” i energjisë, sfida për rritjen e ekonomisë në muajt e ardhshëm është e konsiderueshme. Nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë në rënien e aftësisë paguese të bizneseve e të familjeve, dhe të përcillet në sektorin bankar nëpërmjet rënies së cilësisë së aktiveve, rënies së niveleve të fitimit të veprimtarisë apo krijimit të humbjeve financiare”, theksohet më tej në raport.

ENERGJIA

Shqetësuese sipas Bankës së Shqipërisë paraqitet situata në sektorin energjetik. “Në rastin e reshjeve të pamjaftueshme, ekonomia do të përballet me një sfidë të jashtëzakonshme, e cila do të ndihet në forma të ndryshme nga të gjitha subjektet ekonomike e shoqërore. Në këtë skenar, në afat të shkurtër marrin rëndësi masat për zbutjen e goditjes ndaj shtresave më nevojtare të shoqërisë dhe shërbimeve kritike, për krijimin e burimeve/ rezervave financiare për blerjen e energjisë së nevojshme përgjatë periudhës së ardhshme vjeshtë-dimër, për përdorimin e energjisë ekzistuese në mënyrë. Ngadalësimi i rritjes ekonomike si rezultat i ndikimit të rritjes së çmimit (apo cenimit të ofertës së energjisë) në rënien e të ardhurave të bizneseve, rritjen e papunësisë dhe uljen e të ardhurave të familjeve, mund të rrisë probabilitetin e dështimit të grupeve të caktuara të huamarrësve, duke dëmtuar potencialisht rezultatin financiar të bankave dhe theksuar nevojën për nivele të përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë”.

SEKTORI BANKAR

Lidhur me veprimtarinë e sektorit bankar, Banka e Shqipërisë vëren se ky sektor është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme dhe u zgjerua gjatë kësaj periudhe. Totali i aktiveve të sektorit bankar u zgjerua gjatë periudhës me 31.8 miliardë lekë ose 1.8%, për të arritur në nivelin 1,805.6 miliardë lekë. Në këtë ecuri dhanë kontribut pozitiv rritja e kredisë dhe e investimeve në tituj. Në terma vjetorë, rritja e aktiveve të sektorit bankar rezultoi 9.8%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sejko: Inflacioni në vend do të mbetet i lartë

Kriza e çmimeve/ BSH nuk ndryshon politikën monetare

Ministrja Ibrahimaj për "Zërin e Amerikës"

“FMN parashikon ngadalësim të rritjes ekonomike”

'Të shihen politikat fiskale"

Sejko: Çmimet, të larta, gjatë 2022-it!


Cilat kompani do të largojnë mijëra punëtorë?

Sektori i industrisë gjermane, më i prekuri nga kriza!

Më të paguarit, sektori financiar dhe…

Sa kushton një orë pune në Shqipëri?

Sa do të jenë vlerat për çdo sistem të miratuar

Vendimi/ Qeveria financon familjet për ngrohjen!