Kompanitë e sigurimeve paguan pesë milionë euro për shërbime shëndetësore private gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet në produktet e sigurimit të sëmundjeve u rritën me afro 54% për vitin 2017, me një vlerë totale prej 627 milionë lekësh.
Tashmë, dëmet për këtë produkt përbëjnë afro 14% të dëmeve totale të paguara nga siguruesit e jo-jetës. Kjo i bën sigurimet e shëndetit klasën që zë vendin e dytë në vlerën e dëmeve të paguara, pas sigurimit motorrik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Në vitet e fundit, sigurimi i shëndetit është një produkt që nuk ka sjellë përfitime për siguruesit dhe rezultati teknik, që mat raportin mes dëmeve dhe primeve, ka rezultuar negativ.
Për vitin 2017, raporti dëme-prime për këtë produkt ishte 96%, por duke llogaritur pjesën e komisioneve dhe shpenzimeve të shitjes, mund të thuhet që sërish ky produkt nuk solli fitime për kompanitë e sigurimeve.
Sigurimi i shëndetit ka qenë ndër produktet vullnetare me rritje të shpejtë në vitet e fundit, edhe për shkak të interesit të publikut për marrjen e shërbimeve shëndetësore me standarde më të larta në klinika dhe spitale private.
Sidoqoftë, përmasat e tregut ngelen të papërfillshme, ashtu si për gjithë produktet e tjera të sigurimit vullnetar, me një prim mesatar për frymë që nuk shkon më shumë se 1.7 euro.