Pasqyra energjetike e 8 mujorit në Shqipëri tregon se prodhimi ka rënë ndjeshëm në vend.
Bazuar mbi shifrat e raportuara nga Enti i Energjisë vendi ynë prodhoi në 8 mujor 2.4 terravat/orë me pak energji. Një rënie me 50% e nivelit të prodhimit. Ndërkohë edhe konsumi gjatë 8-mujorit ka pasur një rënie të lehtë me 100 mijë MWh.
Humbjet në rrjet vazhdon të qëndrojnë në ritme të njëjta, ndërsa gati ¼ e energjisë shkon dëm. Qeveria për të luftuar fenomenin do të krijojë një task-forcë energjie që do adresojë lidhjet e paligjshme, ndërsa me akt normativ u njoftua nga zv.kryeministrja Balluku, se drejtuesit e administratës që nuk kursejnë 15% të energjisë do të marrin 50 mijë lekë gjobë.
Ndërkohë, sa i përket shkëmbimit në interkonjeksion, vendi në 8 mujorin e 2021-it ishte eksportues neto i energjisë, ndërsa këtë vit rezulton me gati 1 terravat deficit për të mbuluar konsumin.
Ndërkohë niveli i Fierzës ka vazhduar të qëndrojë nën nivelin e mesatares përgjatë 8 muajve, ndërsa pikën më të ulët në gati 20 vite e arriti në mars të këtij viti.
Të dhënat e 8 mujorit tregojnë gjithashtu se detyrimet e institucioneve dhe bizneseve janë rritur ndaj OSHEE-së, ndërsa familjarët kaun ulur stokun e tyre të borxhit.
Një tjetër detaj që vihet re nga të dhënat e Entit Rregullator është edhe fakti se rritja e çmimeve të energjisë ka bërë që më shumë kompani private t’i bashkohen tregut. Kështu nga 2021 deri në gusht të 2022 janë 25 kompani që janë shtuar në listën e pjesëmarrësve. Rritja e tyre në dy vitet e fundit është e paprecedentë që nga liberalizimi i tregut në 2015-ën.