MENU
klinika

Shifrat e ndërtimit

57 leje ndërtimi për hotele të reja

01.12.2018 - 11:28

Shtimi i numrit të turistëve po sjell një interes në rritje për ndërtimin e hoteleve. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për nëntë muajt e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej 54 leje ndërtimi për struktura akomoduese, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin dhënë 37 leje.

Mbështetur në të dhënat e lejeve të ndërtimit, vlera e hoteleve të miratuar për t’u ndërtuar është rreth 2.3 miliardë lekë, në rritje me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shpesh në vitet e fundit, përfaqësues të qeverisë dhe operatorë turistikë kanë vendosur theks në faktin se Shqipëria nuk ka kapacitete për t’iu përgjigjur numrit në rritje të turistëve të huaj. Kryetari i Bashkisë Tiranë e ka shtruar këtë si argument për të mbështetur ndërtimet e reja në zonën qendrore të Tiranës.

Sipas Instat, vitin e kaluar vitin tonë e vizituan mbi 5 milionë shtetas të huaj. Kjo shifër është tejkaluar që në 10 mujorin e këtij viti dhe në vendin tonë kanë hyrë 5.4 milionë vizitorë të huaj, në rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, një problem për rritjen e numrit të të turistëve ngelen përmasat e vogla të njësive akomoduese në Shqipëri. Mesatarisht, një hotel në Shqipëri ka rreth 33 shtretër.

Një përmasë e tillë e bën të vështirë tërheqjen e grupeve të mëdha, por mbi të gjitha nuk mundëson përfitime nga ekonomitë e shkallës. Në teori, një hotel i vogël ka kosto mesatare më të larta, çka e bën më pak konkurrues në çmime.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN