Ndihma ekonomike është mbështetja në para që u jepet familjeve pa të ardhura, si dhe disa kategorive të veçanta. Sipas përcaktimeve të ligjit përkatës, gjashtë kategoritë që mund të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, janë: Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët të cilët nuk janë në institucione, prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh që u përkasin familjeve në nevojë, viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe fëmijët e vendosur në shërbimin e kujdestarisë.
Çdo individ që u përket këtyre kategorive përfituese mund të aplikojë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku ka vendbanimin, ku duhet që të dorëzojë edhe dokumentacionin e duhur të aplikimit, sipas kategorisë në të cilën bën pjesë. Dosjen e plotë të dokumentacionit që duhet për t’u bërë pjesë e skemës së përfitimit të kësaj pagese e gjeni të plotë në vijim të shkrimit për secilën nga kategoritë e përmendura më lart.
Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët çertifikata) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore.
Administratori, në prani të kryefamiljarit, bashkëshortes apo individëve plotëson online në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike të cilët përmbledhin informacionin për: demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin; llojin e banesës; pasuritë/asetet shtëpiake; të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale. Është me shumë rëndësi që informacioni të jetë i saktë, pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë. Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit merret vendimi për këto familje nëse mund të përfitojnë ndihmë ekonomike apo jo. Po në të njëjtën formë do të veprohet edhe për kategoritë e tjera përfituese.
Si merret vendimi për ndihmën ekonomike
Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon vendimin final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me arsyet përkatëse kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës.
Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 muaj tek zyra e administratorit shoqëror i cili plotëson deklaratën social-ekonomike dhe e hedh në sistem si dhe verifikon gjëndjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social –ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.
Si mund të ankimohet vendimi
Familjet të cilat janë refuzuar se nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe gjithashtu ruajnë të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë. Ankimimi bëhet me shkrim fillimisht pranë njësisë vendore, e cila është e detyruar të kthejë përgjigje brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës. Pas ezaurimit të ankimimit te njësia vendore, ka të drejtë të ankimojë te Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror dhe në gjykatë. Për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6 për, ose me fonde të buxhetit vendor.
DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR FAMILJET NË NEVOJË:
Kopja e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti.
Vërtetimin për regjistrimin në shkollë për fëmijët që fillojnë klasën e parë.
Vërtetimin për ndjekjen e shkollës lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor.
Fotokopje të librezës së vaksinimit që provon vaksinimin sipas kalendarit të detyrueshëm për grup-moshat e fëmijëve.
Kopjen e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, për familjet që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo Persona me Aftësi të Kufizuara, që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar.
Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës (tapinë e tokës), për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.
Për familjet kur kryefamiljarët janë në proces ndarjeje, duhet të paraqesin edhe vërtetim nga gjykata, që vërteton se kryefamiljari dhe bashkëshortja, të cilët po aplikojnë veçmas njëri nga tjetri për ndihmë ekonomike, janë në një proces të zgjidhjes së martesës dhe akoma nuk ka një vendim të formës së prerë.
Dokumentacioni që kërkohet për të gjitha kategoritë e veçanta
Viktimat e trafikimit
Pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror dy dokumentete si në vijim.
Fotokopjen e kartës së identitetit.
Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit.
2.Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare:
Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror dokumentet në vijim.
Urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes
Fotokopje të kartës së identitetit të aplikuesit.
Individët që kanë marrë statusin e jetimit që nuk jetojnë në institucionet e përkujdesjes:
Në muajt e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror fotokopje të kartës së identitetit.
Një kopje të noterizuar të statusit të jetimit
Vërtetim si punëkërkues i papunë, të lëshuar nga zyra e punës, për jetimët mbi moshën 18 vjeç
4.Prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh
Të paraqesin kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike si 3, 4, 5-njakë, në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror dokumentet si në vijim.
Kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike si tre, katër, pesënjakë.
Certifikatë familjare që vërteton lindjen e fëmijëve tre, katër, pesënjakë.
Verifikimi social-ekonomik i familjes nga administratori shoqëror, që është familje në nevojë.
5.Fëmijët në kujdestari të familjeve kujdestare:
Administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore, kur kontakton me familje kujdestare të cilat kanë marrë me vendim gjykate të formës së prerë fëmijë në shërbimin e kujdestarisë ,ju vë në dispozicion dhe i ndihmon këto familje për të plotësuar formularët të cilët janë bashkëlidhur vendimin nr.89,datë 26.01.2012 “Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe procedurave të shërbimit të kujdestarisë” me dokumentacionet si vijon brenda muajit.
Formulari nr.1 “Mbi të dhënat e aplikuesit” dhe raporti i përgatitur nga subjekti privat që ofron shërbimin e kujdestarisë për familjen aplikuese kujdestare.
Formulari nr.2, “Me të dhënat e detajuara të familjes kujdestare” dhe dokumentacionet e mëposhtme:
Certifikatën e gjendjes familjare dhe fotografi të prindërve.
Dëshmi penaliteti për anëtarët e familjes mbi 14 vjeç.
Raportin mjeko-ligjor që vërteton që se prindërit e familjes janë të aftë fizikisht dhe mendërisht.
Vërtetim të lëshuar nga qendra e punës apo organet e tatim-taksave, mbi të ardhurat që kanë nga punësimi/vetëpunësimi prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes.
Dëftesë të shkollës për fëmijët e familjes kërkuese të cilët janë duke ndjekur shkollën/studimet.
Referenca për familjen nga 2 persona (njëri prej të cilëve duhet të jetë një përfaqësues i komunitetit, në të cilën familja jeton).
Formulari nr.3 së bashku me dosjen e fëmijës me dokumentacionet si më poshtë vijon.
Certifikatë personale e fëmijës me fotografi.
4 fotografi të fëmijës në këmbë.
Certifikatë familjare e fëmijës.
Raportin mjeko-ligjor për gjendjen shëndetësore dhe psikike të fëmijës.
Kopje të fletores së fëmijës për vaksinat e kryera.
Dëftesën shkollore për fëmijën,nëse fëmija frekuenton një të tillë.
Vërtetim nga institucioni I përkujdesit shoqëror,nëse fëmija frekuenton /te një të tillë.
Vërtetim mbi të ardhurat financiare të prindërve biologjikë.
Vendimin e gjykatës për marrjen në kujdestari nga familja aplikuese kujdestare.
Raportet mbi takimet fillestare të fëmijëve dhe familjes.
Planin individual të ofrimit të shërbimit të kujdestarisë.