Vllaznia surprizohet në sekondat e fundit nga Erzeni, duke e kthyer këtë sfidë në një dramë të vërtetë. Shkodranët ishin në avantazh të dy golave, por në fund u ndalën në barazim 2-2, duke marrë vetëm një pikë.
Shkodranët ngecin kështu përballë një ekipi që kishte surprizuar shumë në fazën e parë dhe që vijon të tregojë dinjitet edhe në ndeshje transferte.
Pas një pjese të parë të luftuar, por pa gola, e dyta ishte ajo që dhuroi më shumë emocione në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë kalojnë në avantazh në minutën e 54-t. Një top ndalet në këmbët e Aralicës, i cili nuk fal për 1-0. Pas 10 minutash do të ishin sërish vendasit që do të shënonin sërish. Është Mala që dyfishon shifrat për Vllazninë.
Megjithatë, ndeshja hapet në minutën e 75-të, kur Nonato për shijakasit ngushton në 2-1. Kur vendasit menduan se e fituan ndeshjen, miqtë shënojnë në minutën e 100-të me anë të Kahrimanoviç. Një pikë me vlerë për Erzenin dhe dy pikë të lëna për Vllazninë.
Laçi fundos Teutën, duke fituar 0-1 në Durrës. Një ndeshje rivalësh, kësaj here në fundin e tabelës, me kurbinasit që fusin në krizë totale ekipin durrsak. Mjaftoi goli i Spahiut në mesin e pjesës së dytë që bardhezinjtë të merrnin një nga fitoret më me vlerë deri tani.