Java e 10-të foli totalisht në favor të Tiranës. Bardheblutë mposhtën 4-1 një rival direkt si Kukësi dhe, duke përfituar edhe nga humbja e Partizanit, janë vetëm 1 pikë larg kreut.
Pjesa e parë nisi me ritëm, por golat do të vinin vetëm në fundin e këtij fraksioni. Florent Hasani bëri gjithçka vetë duke shënuar golin e avantazhit për bardheblutë në minutën e 43-të.
Por goli i barazimit do të vinte shumë shpejt, pas 4 minutash. Edi Basha realizon për verilindorët pas një pasimi akrobatik të Gabriel Barbosës, me kroatin që mposht Visar Bekajn.
Kukësi mbetet me 10 lojtarë në minutën e 59-të pas ndërhyrjes së gabuar të Ndrecës. Fillimisht ndëshkohet me të verdhë, por pas pamjeve nga VAR jepet i kuqi. Tirana shton forcat dhe në 72’ kalon sërish në avantazh. Pas një goditje dënimi të ekzekutuar nga Kallaku në të djathtën, Behiratçe gjuan me kokë dhe mposht Tafas.
Në minutën e 81-të Tirana do të vriste ndeshjen me golin e Patrik. Në fund kishte vend edhe për Limaj, që realizon saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Ndërsa Partizani u turpërua nga Egnatia në Rrogozhinë me rezultatin 3-0. Të besuarit e Shpëtim Duros, pasi mposhtën Kukësin, thyejnë edhe një pretendent tjetër.
Të dyja skuadrat kërkuan me ngulm golin që në fillim, më pas ishte radha e protestave nga të dyja palët për penallti, por që akordohet vetëm në minutën e katërt shtesë për rrogozhinasit. Fernando nuk fal nga pika e bardhë.
Ende pa u shuar entuziazmi i golit të parë, vendasit festojnë sërish. Bitri humbet një top pranë zonës dhe aksioni që finalizohet nga Zejnullai. Një mbyllje perfekte e pjesës së parë nga Egnatia.
E dyta nisi në sulm nga Partizani, me shpresën për të marrë të paktën një pikë, por Zejnullai shënon golin e tretë në 70’ pas kundërsulmi të shpejtë. Partizani nuk arrin të shënojë qoftë një gol nderi dhe del me kokën ulur për herë të parë gjatë këtij sezoni në transfertë.