Një ditë para protestës së thirrur nga opozita, Bordi i Transparencës ka vendosur që të ulë çmimin e karburantit në vend. Mësohet se nafta është ulur me 5 lekë dhe benzina me 2 lekë.
VENDIMI I BORDIT
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 11 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 10.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 957, – 4 nga data 1.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1023, – 40 nga data 1.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një ulje të lehtë në 118.03 ( -1.24 nga data 1.11.2022).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 227 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 215 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi i gazoil për peshkimin është vendosur 133 lek/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 11 Nëntor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.