MENU
klinika

“100 Fshatrat”

FSHZH rreth 1.3 milionë euro për karnavale, festa e panaire

17.11.2022 - 10:52

Mbështetja e aktiviteteve festive, sportive, kulturore, publike apo ekonomike pritet t’i kushtojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit rreth 1.3 milionë euro.

Një procedurë prokurimi e hapur së fundmi që ka në objekt të kontratës “Ndërhyrjen për promovimin e zonave të 100 fshatrave nëpërmjet eventeve kulturore, sportive, kulinarie, sociale, etj”- Mbështetje logjistike” parashikon që kjo të shtrihet në 61 bashki të vendit.

“FSHZH parashikon mbështetje për realizimin e eventeve sociale, sportive, kulturore, ekonomike dhe publike. Organizimi i eventeve është një mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë në pah cilësinë dhe specifikat e destinacionit turistik. Efektet pozitive fizike dhe ekologjike reflektohen në rritjen e ndërgjegjësimit mbi mjedisin, mbrojtjen dhe transformimin, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe komunikimit. Ata gjithashtu mund të gjenerojnë mundësi udhëtimi në një destinacion specifik pasi eventi ka mbaruar. Kështu krijohet vlerë duke shitur produkte novatore që ofron destinacioni”, thuhet në dokumentin e tenderit.

Fondi pranon gjithashtu nëpërmjet kësaj Marrëveshje Kuadër synon të mbështesë 61 bashkitë në promovimin e vlerave turistike të territorit që mbulojnë duke vënë në dispozicion infrastrukturën e nevojshme për organizimin e eventeve të tipologjive të ndryshme.

“Kjo ndërhyrje përveç rritjes së frymës komunitare dhe realizimit të aktiviteteve, synon më së shumti rritjen e kapaciteteve të bashkive për organizimin e eventeve nëpërmjet vënies në dispozicion të pajisjeve bazë minimale të cilat lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sociale dhe rekreative” thuhet në dokument.

Projekti synon përfshirjen e të gjitha kategorive të eventeve të tilla si :

– Evente komunitare ku përfshihen karnavale, paradë, ceremoni për ndarje çmimesh evente sociale- festa, mbledhje/grumbullime etj

– Evente sportive\natyrore\kulturore si konkurse sportive (për profesionistë dhe amatorë) rekreative (sporte dhe lojëra argëtuese, zbavitje, etj) kulturore dhe nënkategoritë e saj (festival, festa fetare, festa të trashëgimisë kulturore) etj

–  Evente të promovimit dhe ndërveprimit ekonomik dhe tregtar me nënkategoritë e saj (panaire, tregje, ekspozita, evente publicitare, takime dhe konventa, etj.)

–  Evente qytetare, qeverisëse, shoqëri civile, ku përfshihen evente ndërgjegjësimi, publicitare, etj

–  Evente të edukimit dhe shkencore (seminare, workshops, kongrese, etj.)

Operatori ekonomik që do të përzgjidhet do të ketë detyra: Vënien në dispozicion të pajisjeve për realizimin e eventeve, sipas kërkesës nga Autoriteti Kontraktor; Sigurimin e transportit të pajisjeve në vendndodhjen e eventit; Operimin e pajisjeve duke përfshirë edhe mbështetjen teknike gjatë gjithë procesit të organizimit të eventit./Monitor