MENU
klinika

Udhëzimi i Ministrisë së Financave

Sa do të tatohen të vetëpunësuarit

17.11.2022 - 16:29

Zbardhet udhëzimi i Ministrisë së Financave për vënien në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Janë më shumë se 14 mijë profesione të regjistruara me statusin e personit fizik që prej 1 janarit të vitit që vjen do të përballen me një normë taksimi që varion nga 13 deri në 23 për qind, duke sjellë në arkën e shtetit jo pak, por 2 miliardë leke ose rreth 20 milionë dollarë në harkun e një viti. Ndërkohë që për bizneset e vogla që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtisë, prodhimit, transportit, artizanatit etj., të organizuara si persona fizikë tregtarë, por edhe SH.P.K., dhe që realizojnë xhiro deri në 14 milionë lekë, tatimi do të vijojë të jetë 0% deri në fund të vitit 2022.

TATIMI
Udhëzimi përcakton se “Për tri kategoritë e të ardhurave personale, të cilat përbëjnë bazën e tatueshme, tarifat tatimore aplikohen në mënyrë individuale për çdo kategori, sipas përcaktimeve në ligj: a. të ardhurat nga punësimi tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi tatohen sipas normave progresive15 dhe 23%; dhe të ardhurat nga investimi tatohen sipas normave respektive 8 % dividentët dhe ndarjet e fitimit dhe 15 % të ardhurat e tjera nga investim”. Në tabelë janë dhënë edhe shembujt konkret për secilën skemë tatimi.

Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe nga biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore respektive për periudhën tatimore: një shumë prej 600.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë deri 600.000 lekë; një shumë prej 420.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600.000 lekë deri në 720.000 lekë; një shumë prej 360.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720.000 lekë; një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët prej 48,000 lekë.

Thënë kështu, për të ardhurat nga punësimi, normat tatimore që zbatohen janë 13% dhe 23%. Reduktimi i ngarkesës tatimore për të punësuarit me të ardhura të ulëta, nuk bëhet nëpërmjet aplikimit të tarifës 0% për një segment të caktuar page, por duke reduktuar bazën e tatimit(pagën bruto) me një shumë të caktuar të parashikuar në nenin 22 të ligjit. Ndërkohë, për të ardhurat nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat: 15% për fitimet neto deri në 14 milionë lekë në një vit tatimor dhe 23% për çdo Lek fitim neto mbi fitimin neto 14 milionë lekë në vit.

Nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi nga e ardhura bruto ka zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar deklaron fitim neto 12 milionë lekë, tatimi që do paguajë do jetë 12 milionë x 15% = 1.8 milionë Lek. Nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi nga e ardhura bruto ka zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar deklaron fitim neto 20 milionë lekë, tatimi që do paguajë do jetë: 14 milionë x 15 % + 6 milionë x 23% = 2.100.000 + 1.380.000 = 3.480.000 lekë. Të ardhurat nga investimi tatohen përkatësisht 8% të ardhurat nga dividentët/ ndarjet e fitimit dhe 15% çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi. Përveçse kur parashikohet ndryshe në ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.

PJESË NGA UDHËZIMI I MINISTRISË SË FINANCAVE PËR “TATIMIN MBI TË ARDHURAT”
Për tri kategoritë e të ardhurave personale, të cilat përbëjnë bazën e tatueshme, tarifat tatimore aplikohen në mënyrë individuale për çdo kategori, sipas përcaktimeve në ligj:
” të ardhurat nga punësimi tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%;

” të ardhurat neto nga biznesi tatohen sipas normave progresive 15% dhe 23%;

” të ardhurat nga investimi tatohen sipas normave respektive 8% dividentët dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.

Zbritjet nga baza tatimore Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe nga biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore respektive për periudhën tatimore:
” një shumë prej 600.000 lekë, nëse të ardhurat vjetore janë deri 600.000 lekë;

” një shumë prej 420.000 lekë, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600.000 lekë deri në 720.000 lekë;

” një shumë prej 360.000 lekë, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720.000 lekë;

” një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët prej 48,000 lekë.

Shembuj të llogaritjes së tatimit:
Ana punon në një zyrë programimi dhe paga e saj bruto është 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit. Bashkëshorti i Anës ka një biznes për tregtimin e pajisjeve hidro-sanitare dhe ka të ardhura neto 3,250,000 lekë/vit. Ndërkohë, Ana ka një depozitë me afat nga e cila merr një normë interesi 20,000 lekë/vit, ndërkohë Beni ka disa aksione në kompaninë “XX”, e cila për këtë vit ka paguar dividendë në vlerën 25,000 lekë/vit. Ana dhe Beni kanë dhe tre fëmijë përkatësisht 13, 15 dhe 18 vjeç.

Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi:
a. Ana ka të ardhura vjetore nga punësimi në shumën 2,760,000 lekë, pra të ardhurat e saj e kalojnë shumën prej 600,000 lekë dhe zbritja nga baza tatimore që Ana përfiton, referuar paragrafit 1 të nenit 22 të ligjit është 360,000 lekë. Gjithashtu, Ana ka dy fëmijë nën moshën 18 vjeç për të cilët për të cilët përfitohet një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekë për fëmijë, pra 96,000 lekë në total megjithatë, duke qenë e Beni ka të ardhura më të larta, do të jetë Beni ai që do ta kërkojë këtë kompensim nga baza tatimore, si dhe zbritjet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22. Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi që Ana do të paguajë do të jetë: Të ardhurat vjetore nga punësimi prej 2,760,000 lekë/vit zvogëlohen me zbritjet e parashikuara sipas këtij ligji. 2,760,000 lekë/vit – 360,000 lekë/vit = 2,400,000 lekë/vit E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet tatohet: 2,040,000 lekë/vit * 13% + (2,400,000 lekë/vit – 2,040,000 lekë/vit) * 23% = 265,200 lekë/vit + 82,800 lekë/vit = 358,000 lekë në/vit tatimi që Ana paguan për të ardhurat nga punësimi.

Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi:
Beni ka të ardhura neto vjetore si i vetëpunësuar në shumën 3,250,000 lekë. Referuar paragrafit 1 të nenit 22, të ardhurat e Benit janë mbi 600,000 lekë/vit, prandaj zbritja nga baza tatimore që Beni përfiton është 360,000 lekë. Beni si tatimpaguesi me të ardhurat më të larta në familje do të përfitojë një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekë për çdo fëmijë në moshën nën 18 vjeç, pra 96,000 lekë në total për dy fëmijët që janë më pak se 18 vjeç. Ndërkohë, Beni nuk i përfiton zbritjet nga baza tatimore të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22, duke qenë se të ardhurat vjetore janë më të larta se 2,000,000 lekë. Të ardhurat neto vjetore nga biznesi zvogëlohen nga zbritjet tatimore dhe kompensimet e parashikuara sipas këtij ligji. 3,250,000 lekë/vit – (360,000 lekë/vit + 96,000 lekë/vit) = 2,890,000 lekë/vit E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet tatohet: 2,794,000 lekë/vit * 13% =363,220 lekë/vit tatimi që Beni paguan për të ardhurat nga biznesi.

Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga investimi
Të ardhurat nga depozita me afat e Anës dhe të ardhurat nga dividendët që Beni ka marrë nga investimi në aksione, janë të ardhura nga investimi. Tatimpaguesit e të ardhurave nga investimi mund të zbresin nga baza tatimore zbritjet sipas paragrafit 2 të nenit 22, por këto zbritje nuk përfitohen nga tatimpaguesit në fjalë, sepse të ardhurat e Benit e tejkalojnë shumën 2,000,000 lekë/vit. Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë Ana, për interesat e përfituara nga depozita me afat do të jetë: 20,000 lekë/vit * 15% = 3,000 lekë Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë Beni, për dividendët e përfituar nga investimi në aksione do të jetë: 25,000 lekë/vit * 8% = 2,000 lekë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Propozimet e Raportit të Bankës Botërore për Shqipërinë

Si do t’i ruajnë kompanitë vendet e punës?