Gara për dhënien me koncesion të shërbimit të kolaudimit të pompave të karburantit ka ngelur pezull. Kjo garë u shpall më 18 shtator Ministria e Financave, por ajo u pezullua pas ankesës së depozituar nga kompania garuese Penzoil Trading.
Kjo kompani i konsideroi si diskriminuese kërkesat që duhet të plotësojnë operatorët e interesuar. Ankesa është regjistruar në datën 28 shtator 2018.
Sipas ankesës, kushtet e vendosura përjashtojnë nga gara kompanitë e huaja dhe favorizojnë firmën “NoaControll sh.p.k,” kompani e biznesmenit Gentian Sula, i cili ka paraqitur një propozim të pakërkuar në 2016 dhe për këtë arsye ka marrë në garë 10 pikë bonus nga qeveria shqiptare.
Komisioni i Prokurimit Publik nuk ka marrë ende një vendim mbi këtë çështje, duke qenë madje në shkjelje të afateve ligjore. Sipas legjislacionit aktual, shqyrtimi i një ankese, duke të kryhet brenda një afati 30 ditor, por në këtë rast Komisioni i Prokurimit Publik ka tejkaluar afatin, duke lënë pezull një nga koncesionet më të debatuara.
Ndërmarrjet e këtij tregu dhe ekspertët kanë argumentuar se privatizimi do të pasohet nga rritja e çmimit të karburanteve dhe dëmtimi i konkurrencës në treg.
Operatorët e tregut kanë nënvizuar se rritja e çmimit nuk përjashtohet, për sa kohë në kriteret e përzgjedhjes së koncesionarit nuk është përfshirë çmimi i ofrimit të shërbimit, duke i lënë dorë të lirë këtij të fundit të vendosë vetë tarifën e shërbimit.
Aktualisht gara është pezulluar, ndërkohë që në bazë të vendimit që duhet të shpallë Komisioni i Prokurimit Publik do të përcaktohet nëse do t’i jepet të drejtë operatorit që ka depozituar ankesën ose autoritetit kontraktor, i cili në këtë rast lejohet të vazhdojë garën.