Në një intervistë per Portalin e Kosovës “Periskopi”, Baze kritikon ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti, dhe numëron dështimet e tij . Baze thote se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë për detyrë të jenë “qenë roje” të Kosovës se përfaqësojnë shtetin e Kosovës. E ne në Shqipëri e kemi një fjalë të urtë që thotë se “qeni i keq ta sjell ujkun në stan”. Një nga arritjet e dyshes Kurti Osmani është që Kosova “ka fituar” pavarësinë nga Shqipëria duke e trajtuar si shtet armik
Ndër të tjerash, njohësi i proceseve të Kosovës flet edhe për rolin e opozitës, pa harruar as presidenten Vjosa Osmani si ‘sulmuese’ të Shqipërisë, e as ngjarjen e fundit me analizën skandalozetë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
INTERVISTA E PLOTË:
Periskopi: Viti 2022 karakterizoi Kosovën me zhvillime të shumta, nuk munguan takimet me palën serbe, tensionet e protestat brenda vendit. Si një njohës i mirë i proceseve në Kosovë, si do ta vlerësonit vitin që po shkon nën qeverisjen e Kurtit?
Mero Baze: Viti që po shkon ishte një fotografi reale e asaj çfarë është në të vërtetë, fati i politikanëve populist kur ata qeverisin. Shikoj dy gjëra pozitive, që lidhen me qeverisjen. Arritja e parë është që qeverisja nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Që të biem dakord unë nuk jam i shqetësuar që Albin Kurti nuk i ka mbajtur premtimet. Do të ishte më keq t’i mbante. Idetë e tij për zhvillimin e Kosovës janë kaotike, pa asnjë mbështetje reale tek realiteti ekonomik dhe financiar i Kosovës dhe tek modeli ekonomik i tregut. Në këtë aspekt e quaj pozitiv faktin që nuk ka këmbëngulur të vë në jetë idetë e tij si opozitar.
Nga ana tjetër, është e dëmshme që Albin Kurti po përpiqet të provokojë herë pa sherre me huqjet e tij opozitare, i kompleksuar nga ideja se duhet të jetë viktimë e një komploti ndërkombëtar kundër tij. Meqë u viktimizua njëherë duke u rrëzuar nga pushteti pas përplasjes me SHBA, tani sa herë dështon kërkon të ngrejë tensionet dhe ta shpëtojnë atë duke e rrëzuar. Në fakt ai nuk duhet rrëzuar, por duhet rrënuar si politikan i përciptë, sipërfaqësor dhe pa një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen e Kosovës. Dhe kjo është serioze.
Mes rrëzimit dhe rrënimit të një politikani destruktiv ka një diferencë të madhe në Ballkan. Politikanët që rrëzohen nga konflikti me politikën perëndimore në Ballkan bëhen popullorë. Fatkeqësisht dhe brenda shqiptarëve. Kemi Sali Berishën në Shqipëri të ngjashëm.
Rrënimi i tyre duhet të vij nga ballafaqimi i përditshëm dhe i pamëshirshëm me idetë e tyre para shoqërisë shqiptare për t’ua provuar të gjithëve se sa vlejnë. Dhe në këtë aspekt edhe ky vit ishte një vit i mirë kundër Albin Kurtit dhe pro krijimit të një perceptimi më real në Kosovë për të.
Periskopi: Cilat janë tri dështimet dhe tri arritjet e Qeverisë Kurti gjatë këtij viti?
Mero Baze: Dështimi në menaxhimin e situatës në veri të vendit, dështimi në raportet me diplomacinë perëndimore dhe dështimi në betejën kundër korrupsionit në vend janë tre dështime të dukshme.
Sa u përket tre arritjeve të qeverisë Kurti, nuk dua të bëhem shumë cinik, por arritja e parë më e rëndësishme është që ka vendosur shtypin nën kontroll duke diktuar burimet ekonomike të tyre, arritja e dytë është që ka ndihmuar Gjykatën Speciale t’i jap arsye përse nuk duhen liruar udhëheqësit e UÇK-së dhe arritja e tretë është që ka fituar pavarësinë nga Shqipëria duke e trajtuar si shtet armik.
Këto janë arritje që i ka dëshiruar Albin Kurti. Meqë nuk jetoj në Kosovë nuk ndjej ndonjë arritje tjetër.
Periskopi: Kryeministri Kurti refuzoi disa herë kërkesat e ShBA-ve e BE, si e shihni këtë qëndrim të Kurtit ndaj partnerëve ndërkombëtar, mendoni se u dëmtuan raportet e Kosovës me ta dhe pse Kurti ishte aq kokëfortë ndaj tyre, le të themi, fillimisht, sepse më pas e pamë që megjithatë po lëshonte pe?
Mero Baze: Refuzimi i rekomandimeve të SHBA dhe Perëndimit në tërësi, për të shtyrë konfliktin formal për targat, bëri që serbët të dalin nga institucionet e Kosovës duke krijuar një precedent të rrezikshëm i cili do t’i kushtojë gjatë Kosovës në çdo hap të mëtejshëm deri në korrigjimin e kësaj plage të hapur. Ky refuzim po ashtu solli konfliktin për zgjedhjet e imponuara në një territor që nuk e njohin autoritetin e qeverisë së Kosovës dhe barrikadat që praktikisht ndan Veriun e Kosovës nga Kosova. Nuk di se çfarë kosto më të rëndë duhet të paguante Kosova për egon e një kryeministri.
Periskopi: Në muajt e fundit ka qarkulluar plani franko-gjerman ne disa versione, por që asnjëherë nuk u bë publik versioni zyrtar. Si i shihni versionet që kanë qarkulluar në media? A është në të mirë të Kosovës një plan i tillë siç po proklamohet?
Mero Baze: Nuk duhet të bëhemi të gjithëologë dhe të studiojmë germat dhe presjet e një plani. E rëndësishme është që plani krijon një kornizë sigurie për respektim reciprok të kufijve mes Serbisë e Kosovës dhe zhbllokon përpjekjet për izolim të Kosovës. Kjo mjafton që Kosova të merret me pyllin e jo me degët, siç po tenton të merret qeveria. Është një plan i mbështetur nga SHBA dhe kjo do të mjaftonte që të ishim më të sigurt me të se sa me idetë e Kurtit për konflikt permanent.
Periskopi: Si e shihni ju opozitën kosovare?
Mero Baze: Opozita në Kosovë ka kompleksin e partive shtetformuese dhe si të tilla ato sillen me shumë përgjegjshmëri ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit. Fjala vjen Krasniqi i jep mbështetje Kurtit për barrikadat, pa pyetur kush e krijoi problemin, Abdixhiku e qorton se si duhet të bëhet konstruktiv me SHBA dhe Perëndimin, Limaj apo Haradinaj i japin zemër si luftëtarë etj. Pra ka një qasje konstruktive e cila politikisht nuk është korrekte. Nuk po them të sillen si Albin Kurti dikur, që nuk njihte as shtetin e Kosovës, por nuk i duhet dhënë oksigjen një qeverie kur ajo është krijuesja e problemit. Është tjetër gjë nëse Kosova ndodhet nën një agresion jo për faj të qeverisë apo gabimeve të saj. Situatat e fundit kanë qenë situata të krijuara nga konfuzioni i politikës së qeverisë dhe ai konfuzion do përgjigje dhe politikisht.
Periskopi: Kosova gjatë këtyre dy viteve nuk ka fituar asnjë njohje, si e shihni politikën e jashtme të Kosovës? Shumë analistë kosovarë, kanë vlerësuar madje se është kryeministri shqiptar, z.Edi Rama ai që po kryen rolin e ministrit të jashtëm të Kosovës? Si i vlerësoni të dyja këto?
Mero Baze: Njohjet e Kosovës janë bllokuar nga fushata agresive e Serbisë. Për këtë arsye plani franko-gjerman ka një dimension shumë pozitiv. Nuk mendoj se Edi Rama duhet të marrë rolin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës edhe pse Shqipëria e ka detyrim të jetë në një hap me Kosovën në çdo rrugëtim të saj. Por qeveria e Kosovës dhe sidomos Ministria e jashtme dhe Presidentja ka qasje armiqësore ndaj Shqipërisë. E trishtueshme është se Ministria e jashtme e Kosovës është rritur në Tiranë, duke ngrënë drekë çdo të diele me Nexhmije Hoxhën deri më 1990, ndërsa tani refuzon dhe të përshëndetet me diplomatët shqiptarë në Perëndim në aktivitete të përbashkëta në emër të një qasje helmatuese ndaj qeverisë së Shqipërisë.
Vjosa Osmani po ashtu e ka kthyer në sport popullor që në fillim të sulmojë Shqipërinë pastaj Serbinë. Kjo është e dëmshme për Kosovën, jo për Shqipërinë. Në Shqipëri as i marrin seriozisht madje, as i njohin kush janë. Por në Kosovë krijojnë një ndjenjë zymtie pasi krijojnë perceptimin se Shqipëria i ka braktisur. Në fakt është e kundërta. Diplomatët shqiptarë janë vullnetarisht dhe diplomat të Kosovës dhe nuk gjen dot askush një rast të vetëm që një diplomat shqiptar të ketë bërë dëm Kosovës e jo më të përdor gjuhën e Presidentes apo Ministres së jashtme të Kosovës kundër Shqipërisë.
Periskopi: Në fjalimin e fundvitit, Presidentja Osmani ngjalli reagime, pasi në njërën prej fjalive deklaroi se ‘ka kaluar koha e ‘tregtimit të kufijve’ duke aluduar kështu në idenë e dikurshme të Presidentit Thaçi. Si e vlerësoni ju këtë diskurs të Presidentes Osmani?
Mero Baze: Kosova nuk ka pasur ndonjë kohë të saj kur ka nxjerr në treg kufijtë. I vetmi rast kur kufijtë janë rrezikuar janë barrikadat që u ngritën për shkak të politikës Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë për detyrë të jenë “qenë roje” të Kosovës se përfaqësojnë shtetin e Kosovës. E ne në Shqipëri e kemi një fjalë të urtë që thotë se “qeni i keq ta sjell ujkun në stan”. Ata për pak e sollën Serbinë në Kosovë. Por për fat këtë kryengritje e shuajti perëndimi dhe kryesisht SHBA. Është po kjo SHBA që Osmani pretendon se ka dashur të ndajë kufijtë e Kosovës më 2018.
Periskopi: A janë forcuar marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri gjatë kohës nën qeverinë Kurti dhe nëse po, qysh? Nëse jo, pse?
Mero Baze: Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës për fat nuk varen nga qeveritë, pasi nuk ka raporte tregtare apo ekonomike që mund të ndikonte qeveria e Kosovës apo Shqipërisë. Mjerisht raportet Shqipëri -Kosovë vazhdojnë të mbeten raporte njerëzore dhe jo raporte shtetërore. Shqipëria ka një bilanc ekonomik të papërfillshëm me Kosovën dhe një orientim të tregut të prodhimeve të saj që nuk ka lidhje me Kosovën. Kosova po ashtu. Ajo e ka 70 për qind të tregut me Serbinë.
Në aspektin politik raportet mes qeverisë Kurti dhe Rama janë të ngrira, dhe të helmatisura nga një prirje megalomane e Albin Kurtit për të ndërhyrë publikisht në jetën politike të Shqipërisë kundër qeverisë Rama. Ju kujtoj se në ndërrim të viteve 2018-2019, në kulmin e një proteste studentësh shumë simpatike kundër qeverisë, Albin Kurti erdhi mbajti tubim në Tiranë me studentët protestues duke bërë thirrje për dorëheqje të ministres kosovare, Besa Shahini dhe duke sulmuar Gent Cakajn, një tjetër ministër i Kosovës në qeverinë e Shqipërisë. Ithtari i bashkimit kombëtar u bë papritur zjarrvënësi i raporteve politike mes dy vendeve. Dhe e vazhdoi marrëzinë me pjesëmarrjen në zgjedhje bazuar në dëlirët e disa bashkëpunëtorëve mitomanë që ka nga Shqipëria. Prej atëherë sulmet e helmatisura kundër politikes Shqipërisë kanë vazhduar.
E vërteta është se Edi Rama e ka marrë me sportivitet agresivitetin e tij, për të mos thënë që është tallur me të. Por nuk është tallur me Kosovën. Qeveria e Shqipërisë i ka qëndruar pranë Kosovës në krizën energjetike duke e furnizuar me energji dhe duke luftuar në frontin e diplomacisë ndërkombëtare për çdo problem të saj.
Periskopi: Një nga ngjarjet që bëri bujë në këtë fundvit, është një analizë (nëse mund të vlerësohet si e tillë) e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në disa pjesë të saj, por specifikisht edhe në një kapitull kushtuar politikës së Shqipërisë, goditet rëndë faktori i shtetit shqiptar përballë Kosovës. Akuza më e rëndë, duket se qëndron në konstatimin se ‘Shqipëria e sheh si një lloj sakrifice Kosovën” që në një farë forme, sic nënkupton analiza e Akademisë, sherri i Kosovës ‘nuk ka mundur të ketë raporte të mira me Serbinë’. Aty goditet rëndë kryeministri aktual shqiptar, z.Edi Rama, presidenti Hashim Thaçi, madje edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, z.Ali Ahmeti. A e keni përcjell këtë debat? Cili është vlerësimi juaj për këtë analizë që doli nga institucioni i Akademisë kosovare?
Mero Baze: E kam parë. E vetmja gjë që dua të them, është se Akademia e Shkencave e Kosovës vuan nga sindromi i “lavdisë” së Akademisë së Shkencave të Serbisë, një institucion i cili konsiderohet si çerdhe e nacionalizmit serb dhe e ideve të Serbisë së Madhe.
E vërteta është se ata serb që kanë bërë Doktrinat antishqiptare, por dhe kundër popujve të tjerë të Ballkanit, nuk i kanë dhënë as lavdi dhe as nder Serbisë. Është një keqkuptim i madh të thuash se qysh prej Garashaninit e më pas prej Çubrilloviqit e Andriqit, idetë e akademikëve serb kundër shqiptarëve e kanë bërë Serbinë më të madhe dhe më krenare. Jo. E kanë bërë më të vogël, e kanë zvogëluar dhe si territor dhe e kanë turpëruar në sytë e botës.
E kam vërejt tek shumë intelektualë në Kosovë një lloj fetishizimi për Akademinë e Serbisë si “nëna e gjithë të këqijave” kundër shqiptarëve. Është një mit fals. Serbët kanë pasur intelektualë të mëdhenj, por jo këta që kanë ndërtuar platformat fashiste në emër të Akademisë. Intelektualë të mëdhenj janë ata që kanë mendim kritik me politikat e gabuara të shtetit dhe nuk e fusin vendin në qorrsokak.
E vetmja këshillë që kam për akademikët shqiptarë është që të mos përpiqen të imitojnë “lavdinë” që ata kanë në kokën e tyre për Akademinë e Serbisë dhe rolin e saj në çështjen kombëtare të Serbisë. E kanë shkatërruar Serbinë. Aq kanë bërë.
Për fat këta tanët nuk është kanë ndikim mbi politikën apo shoqërinë. Akademia e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë është një atavizëm sovjetik që nuk bazohet në konkurrencën e vlerave shkencore, por në raportet me politikën. Është më shumë një institucion social për rroga më të mira në moshë të thyer. Nuk bëjnë dot dëm dhe të duan.