eksa Prokuroria ka mundur të shkojë në gjurmët e dy autorëve të dyshuar të ekzekutimit të biznesmenit Edmond Papa, është kërkuar thellimi i hetimeve dhe në pyetje do të merret edhe efektiviti i përjashtuar Dilaver Velo, babai i Albano Velos.
Kjo, për të mësuar nëse djali i tij ka pasur kontakte me persona me precedentë kriminalë.
“Menjëherë pas ndalimit të shtetasit Albano Velo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor Dilaver Velon, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë”, tha policia.
Ekzekutori i dyshuar i biznesmenit, 44- vjeçari Andrea Bode, ka dyshime se ndodhet brenda vendit.
Alban Velo, djali i efektivit që u denoncua nga PD për ndërhyrje në zgjedhje
I riu nga Përmeti, i cili u arrestua në Rinas mëngjesin e 1 janarit, dyshohet se organizoi krimin për hakmarrje. Në qendër të sherrit të përgjakshëm dyshohet se është një sasi lënde narkotike e zhdukur në Greqi.
Nuk dihet se si janë zhvilluar ngjarjet në atë kohë kur edhe kanë nisur konfliktet, por pretendohet se përveç dy vrasjeve në Tiranë janë shënuar edhe tri të tjera në Greqi, që kanë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Sipas burimeve policore, dyshohet se Papa dhe Sadikaj kanë qenë bashkë në të njëjtin grup trafiku droge në Greqi, çka ka sjellë edhe konfliktin mes tyre.
Nga të dhënat policore mësohet se Alban Velo, 27 vjeçari nga Përmeti, ka qenë në shoqërinë e Sadikajt dhe se dyshimet e para ranë mbi të për shkak të shoqërisë. Por policia dyshon se edhe Velo, duke qenë djalë i një efektivi policie, ka qenë i përfshirë në grupin e Sadikajt, por ende Prokuroria nuk ka folur konkretisht.
Ndërkohë që ditën e djeshme ka dalë në pah një kallëzim i Partisë Demokratike, i cili lidhet me emrin e të atit të autorit të vrasjes së biznesmenit Papa. Në fakt, PD, para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, bëri një mori kallëzimesh në SPAK që kishin në listën e grupeve të blerjes së votës një sërë drejtuesish dhe efektivësh të Policisë së Shtetit. Por jo vetëm SPAK hoqi dorë nga hetimet e atyre ngjarjeve të rënda, por edhe vetë PD nuk mori asnjë masë për të vijuar hetimet e atij skandali. Dilaver Velo ishte drejtues i një seksioni në Komisariatin nr. 4, kur u denoncua nga PD bashkë me një grup policësh dhe drejtuesish të atij komisariati.
Ndaj tij dhe grupit të akuzuar para zgjedhjeve për ndërhyrje në zgjedhje dhe dhunim zgjedhësish në zonën e Alliasit Velo dhe grupi i tij dolën të paprekur për shkak se SPAK nuk nisi hetime as kryesisht. Velo u pezullua nga Policia sapo djali i tij u vu në pranga në Rinas, ndërkohë që pas zgjedhjeve të 25 prillit ai ishte rritur edhe në detyrë. Sot djali i tij pritet të dalë para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë, ndërkohë që Policia ka intensifikuar hetimet dhe kërkimet për kapjen e personit ekzekutor, pasi ka dyshime që ai gjendet brenda vendit, ose është larguar me emër tjetër.