MENU
klinika

Arrestohet nga policia

500 mijë euro ia kapën në Durrës, Elidon Çela e provon nga Vlora

18.02.2023 - 10:41

Elidon Çela, një i ri nga Lushnja që në tetor të vitit të kaluar u ndalua në Portin e Durrësit, pasi në autobusin e linjës që ai drejtonte u zbuluan 500 mijë euro të padeklaruara. 32 vjeçari deklaroi se ishin kursime të familjes dhe po i sillte në Shqipëri nga Italia sepse do investonte në Lushnjë.

Mirëpo, pa mbyllur ende “hesapet” me drejtësinë, Elidon Çela ka provuar të fusë nga Porti i Vlorës mallra kontrabandë. Edhe kur u dnalua në Durrës, veç parave të fshehura autobusi i linjës Itali-Shqipëri dhe anasjelltas kishte elektroshtëpiake dhe mallra të tjera pa faturë.

Policia e Vlorës njofton se ka arrestuar 32 vjeçarin në kushtet e flagrancës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar furgonin në Port, u gjetën dhe sekuestruan kuti me medikamente mjekësore, kuti me lëndë të ndaluar pesticide dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.

Pamje nga mallrat e kapura nga Policia ne Portin e Vlores
Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës:

Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, furgonin me drejtues shtetasin Elidon Çela.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë furgon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kuti me medikamente mjekësore, kuti me lëndë të ndaluar pesticide dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Elidon Çela, 32 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallrat e licencuara.”

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN