Policia e Shtetit ka nisur një operacion të koduar “Embargo”, për goditjen e futjes në Shqipëri të naftës kontrabandë që vjen nga Rusia. Gjatë operacionit deri tani është bllokuar një anije që transportonte 22 500 tonë naftë.
Strukturat policore që operojnë në Durrës, veçanërisht Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Durres, “kanë siguruar në vijimësi, përmes inteligjencës informative, informacione për një anije me flamur liberian që do të kontrabandonte një sasi shumë të madhe nafte. Bazuar në këto informacione është organizuar dhe është në vijim operacioni policor i koduar “Embargo”, në kuadër të të cilit është bllokuar një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, që do të kontrabandohej në Shqipëri”, thekson Policia.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë.
Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kunndërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, si persona fizikë apo juridikë.