Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në NewsLine në Abc News komentoi vendimin e partive opozitare për të garuar nën siglën e tyre në zgjedhjet lokale. I pyetur nga moderatorja Viol Xhafaj se pse aleatët po braktisin Sali Berishën, analisti renditi disa arsye që sipas tij, i kanë detyruar ata të garojnë vetëm.
Nazarko theksoi se partitë e vogla synojnë të mbrohen nga një vendim bojkotues në zgjedhje nga ana e Berishës, të kapitalizojnë votën opozitare si edhe të sinkronizohen me qëndrimin e SHBA-ve.
“Është një sjellje pragmatike e tyre që synon që t’i mbrojë nga një qasje e tipit ekstremist që mund të vijë prej PD, që në një moment mund të vendosë që të kandidojë me një logo tjetër dhe partitë e vogla synojnë të mbrohen nga një vendim me karakter bojkotues.
Së dyti, duke ditur në rast të një bojkotimi, kanë mundësi të kapitalizojnë votën opozitare. Së treti, duke pasur fokusin tek parlamentet lokale, e deoideogjilizojnë dhe janë më të hapur për koalicionet e vogla në nivel bashkish, duke kaluar edhe me qeverinë nëse është e dobishme.
Së katërti duke bërë kështu, maksimizojnë votën e tyre dhe së pesti reflektojnë prirjen e SHBA, që kanë shkopin në dorë dhe synojnë të heqin çdo bazë legjitimimi të PD të udhëhequr nga Berisha. Veprojnë në këtë mënyrë duke u sintonizuar me qëndrimin e SHBA“, tha Nazarko./abcnews.al