Konfindustria shpreh shqetësimin për vazhdimësinë e dobësimit të euros kundrejt lekut. Gjatë dhjetorit 2018 Euro ka rënë në nivelin më të ulët historik në 10 vitet e fundit të shkëmbimit të saj në raport me lekun.
Sipas Konfindustrisë, roli i Bankës së Shqipërisë, si autoriteti përgjegjës qëndror i ngarkuar nga ligji për qëndrueshmërinë e shkëmbimit të monedhës kombëtare, vazhdon të jetë tërësisht i munguar.
Konfindustria pretendon se pasojat e mbivlerësimit të vazhdueshëm të lekut ndaj valutave dhe në rradhë të parë ndj euros, si monedha e vendeve të BE si partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, janë të rënda për ekonominë shqiptare. Ndikimi parësor është fuqizimi i qartë konkurues i importeve dhe goditje ndaj një numri të madh sektorësh prodhues vendor.
Gjithashtu, goditje merr fuqia konkuruese e vendit në tërheqjen e investimeve të huaja. Përfitues të drejtpërdrejtë janë – bizneset tregtare dhe biznese, që mbështeten në lëndë të para prodhimi nga importi si dhe në afatshkurtër buxheti i shtetit.
Gjithashtu, humbje të mëdha në dhjetëra milionë euro pësojnë depozitat në valuta të qytetarëve dhe bizneseve si dhe ekonomitë familjare, që varen nga dërgesat e emigrantëve.
Konfindustria vlerëson, se fuqizimi i lekut nuk mund të shpjegohet dhe nuk është i mbështetur në treguesit kryesorë makroekonomikë të vendit. Rënia në kufij historikë më të ulët nga viti 2008 të kreditimit të ekonomisë është tregues i qartë i pranisë së financimeve jashtë bankare me origjinë të dyshimtë të të gjitha llojeve, që janë shkaku i vërtetë i dobësimit të euros.