MENU
klinika

Premtimet e Këlliçit

Gara për Tiranën, Alimehmeti: Transporti publik falas 100% i realizueshëm!

05.04.2023 - 16:51

Kur duhen edhe pak ditë për të nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit, zyrtarisht në garë për kryeqytetin janë regjistruar 6 kandidatë. Në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se kandidati i Partisë Socialiste, kryebashkiaku aktual Erion Veliaj ka epërsi që në nisje përballë kandidatit të Ilir Metës dhe Sali Berishës, Belind Këlliçit.

‘Rreshtimi i forcave në fletën e votimit besoj se japin një panoramë tjetër. Kandidati i PS-së, pra oferta dyshe Rama dhe Veliaj, ata konkurrojnë së bashku, kanë një epërsi që në start përballë Belind Këlliçit dhe ndihmësve të tij në fushatë, ku dy më të spikaturit janë qoftë Sali Berisha dhe qoftë Ilir Meta të konsideruar nga ambasadorja e SHBA-së njëri zjarrvënës dhe tjetri shkrepësja apo qoftë nga Alimehmeti ku humbi në një garë të diskutueshme primaresh përballë Këlliçit. PD-ja e vulës mund të ketë edhe ajo një përqindje të konsiderueshme.’- u shpreh Vangjeli.

Ndërkohë kryesuesi i listës së këshilltarëve për Tiranën i koalicionit Berisha-Meta, Ilir Alimehmeti i ftuar në studion e Report Tv foli në lidhje me premtimin e Këlliçit për transport falas. Alimehmeti u shpreh se ky premtim është 100% i realizueshëm.

‘Premtimi për transport falas më duket i realizueshëm 100%. Ka dy elementë kyçe një është a i kemi paratë dhe i dyti sa e vështirë është kjo në kohë dhe në logjistikë për t’i kryer. Ai kemi paratë. Nga të dhënat e bashkisë dalim se ka rreth 200 mijë udhëtime në ditë nga të cilat 30% janë abone. Do dalë një llogari dhe do të zbulosh se ka shpenzime nga 6.5 deri në 20 mnl euro, që përbën 6.8% të buxhetit të bashkisë së Tiranës. Veliaj ose ka këshilltarë që s’po e këshillojnë mirë pasi tha se shkojnë deri në 130 mln euro. Investimet madhore janë të bëra qëndrojnë! Është i realizueshëm qoftë nga ana ekonomike qoftë nga ana strukturore.’- tha Alimehmeti.

Alihmehmeti tha se se kandidati që do të fitojë për bashkinë më të madhe të vendit duhet të ketë një mbështetje të madhe. Sipas Alimehmetit mekanizmi i duhur duhet të ishte me dy faza, ku kandidatët të kalonin në dy faza.

‘Për mua rëndësia ka që dikush që do të fitojë, patjetër Këlliçi, duhet të ketë një mbështetje të madhe nga njerëzit. Mekanizmi do të ishte i sakatë, po të ishte më dy faza. Dy kandidatët më të votuar të shkonin në një fazë të dytë. Në 6 kandidatët probabiliteti që askush të mos marrë 50% është i lartë. Përderisa nuk ekziston mekanizmi i balotazhit, bën të mundur që të krijohen hapësira dhe të dalin këto çudira. Parimi është kyç ne e bazojmë shtetin tonë mbi parime, parimi është i thjeshtë kush ka shumicën.’- u shpreh Alimehmeti.