Françesko Banjaja ka fituar Çmimi e Madh të Spanjës në Moto GP, teksa ka triumfuar pas një gare plot emocione dhe frikë në Herez.bcb
Ashtu siç ndodhi në Sprint, në fakt, edhe gara e së dielës u ndërpre menjëherë me një flamur të kuq për shkak të aksidentit, ku u përfshinë Kuartararo dhe Oliveira. Në rifillim, motorët KTM nisën fuqishëm, me Binderin në krye, i cili ndiqej nga shoku i skuadrës, Miller. Por më pas në skenë doli kampioni në fuqi i botës me motorin e tij Dukati. Kështu, Banjaja tregoi superfuqinë e tij në tokën iberike, duke siguruar suksesin e dytë sezonal, ndërsa afrikano-jugori dhe australiani plotësuan podiumin.
Ndërsa me rrëzimin e Marko Bexekit, Banjaja tashmë merr kryesimin në renditjen e përgjithshme të pilotëve me 22 pikë avantazh ndaj bashkatdhetarit të tij. Pas vendit të dytë në garën Sprint të së shtunës, Banjaja del me pikët maksimale nga gara e madhe. I penalizuar edhe një herë nga një flamur i kuq në start, siç ndodhi pikërisht në minigarën e së shtunës. Në Çmimin e Madh ndalesa u shkaktua nga një përplasje e keqe ku u përfshinë Oliveira dhe Kuartararo.
Një aksident, ku përgjegjësia ra mbi Kuartararon, i cili përveçse prishi garën e tij, pati pasoja edhe më të rënda për portugezin, me Oliveirën që përfundoi kështu jashtë para kohe, duke pësuar një dëmtim edhe në shpatull. Ndërkohë, francezi, në fakt, u rikthye në pistë, por me dopiopenalizim për xhiro të gjatë. Rezultat i rëndësishëm në Spanjë edhe për Dani Pedrozën, i cili me paraqitjen me “Wild Card” arriti të renditej i shtati, pas Martin, Aleiks Espargaros dhe Marinit, por përpara Aleks Markezit, Nakagamit dhe Kuartararos, të cilët plotësuan dhjetëshen e parë.
Përveç Oliveirës, para kohe garën e mbyllën edhe Bexeki, Vinjales, Zarko, Rins dhe Mir. Duke u rikthyer te protagonisti i madh i garës, Banjaja, italiani rikthehet fuqishëm pas dy garave të mbyllura me zero pikë. “Jam shumë i kënaqur. Progresi që kemi bërë këtë fundjavë është më i madhi i të gjithë sezonit deri më tani. Dua të falënderoj skuadrën për këtë punë ‘të çmendur’ që ka bërë”, u shpreh Banjaja. Gara e radhës e Botërorit do të jetë më 14 maj në Francë.