MENU
klinika

Më shumë vota të pavlefshme se diferenca mes kandidatëve

Votat e pavlefshme ‘rrezikojnë’ rinumërim në 3 bashki

19.05.2023 - 10:55

Nga rezultati i garës së 14 Majit, 3 bashki kanë më shumë shanse për t’ju nënshtruar procesit të rinumërimit. Bëhet fjalë për Himarën, Rrogozhinën dhe Belshin, ku numri i votave të pavlefshme është shumë më i lartë se diferenca mes kandidatëve.

Nga këto tre bashki, numrin më të lartë të votave të pavlefshme e ka Rrogozhina. Edison Memolla siguroi mandatin me 30 vota diferencë nga Shkëlqim Hoxha i “Bashkë Fitojmë”, por votat e pavlefshme arrijnë deri në 276. Një numër të përafërt votash të pavlefshme ka edhe Belshi, 228 të tilla, ndonëse në këtë bashki, diferenca mes kandidatëve është 40 vota plus për Partinë Socialiste.

Himara ka diferencën më të ngushtë nga të gjitha bashkitë e vendit. Fredi Beleri ia mori të majtës bashkinë vetëm me 19 vota plus, por në këtë bashki kanë rezultuar 165 vota të pavlefshme. Sipas kryekomisionerit, Ilirjan Celibashi, këto vota të pavlefshme nuk i çojnë automatikisht për rinumërim këto tre bashki, por përbëjnë një ndër arsyet për ta realizuar një proces të tillë. Në të gjitha bashkitë e vendit, nga fletët e votimit për kryetar bashkie dhe këshill bashkiakë, rezultojnë 22, 265 vota të pavlefshme.

KËRKESA
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i drejtoi dje një kërkesë KQZ-së për bashkitë Rrogozhinë dhe Belsh. Në kërkesë pretendohet se fati i kryetarit të ri në këto 2 bashki, është zgjedhur nga kutia e votimit të burgut. “2 raste flagrante në Rrogozhinë dhe Belsh, ku “fati” i kryetarit të bashkisë u zgjodh matematikisht nga kutia e votimit të burgut. Nga informacioni që kemi marrë, në Bashkinë Rrogozhinë diferenca midis kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatit të subjektit PS, ishte në favor të kandidatit tonë me mbi 50 vota deri në momentin kur u hap kutia e fundit, ajo e “burgut”, që rezultoi edhe kutia që i dha fitoren dhe “çliroi” kandidatin e PS-së.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në Bashkinë e Belshit, ku diferenca e kandidatëve ka qenë e tillë sa kutia e burgut, të njohur si Burgu i “Lushnjës” ose Burgu i “Kosovës”, ka bërë diferencën ose ka ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin final për kryetar bashkie në Belsh, në dëm të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, thuhet mes të tjerash në kërkesë. Për këtë arsye, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i ka kërkuar KQZ-së: –Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkesë KQZ-së për marrjen e filmimeve të tavolinave në Grupet e Numërimit në KZAZ nr.43 dhe në KZAZ nr.45 për votat e kryetarëve të bashkive Rrogozhinë dhe Belsh. –Vënien në dispozicion të filmimeve të kamerave të qendrës së votimit të IEVP-ve në Rrogozhinë dhe Belsh. –Vënien në dispozicion të vendimeve për lejen e votimit të zgjedhësve të IEVP-ve në Rrogozhinë dhe në Belsh.

DENONCIMI
Deputeti i PD-së Flamur Noka deklaroi dje në seancën plenare se procesi zgjedhor i 14 majit, ishte procesi më i turpshëm në historinë e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Noka tha se dita e diel konfirmoi se ka një regjim, narkoregjim dhe se vija ndarëse mes partisë dhe shtetit nuk ekziston. “U mbyll një proces më i turpshëm në historinë e Shqipërisë sa i takon të ashtuquajturve procese zgjedhore. Më 14 maj në Shqipëri nuk kishte zgjedhje, kishte një proces votimi. Ditën e diel ju konfirmuat se këtu nuk ekziston një qeveri demokratike sikurse duhet të ketë në çdo vend. Dita e diel konfirmoi se ka një regjim, narkoregjim.

Në Shqipëri u tregua ditën e diel se vija ndarëse mes partisë dhe shtetit nuk ekziston. Në Shqipëri parti shtet ishin para krimi, para droge. SHISH, polici, ushtri të gjithë ishin garnizon i PS për të vjedhur, terrorizuar, përçudnuar procesin e quajtur zgjedhor, me një kusht që rilindja të merrte 100% të pushtetit. Banda e quajtura qeveri ditën e diel shkoi në zgjedhje me një moto, të gjithë pushtetin sovjetëve. Nuk kishte gjë më të neveritshme. Kjo tregon mentalitetin e Edi Ramës dhe qeverisë, obskurantist. Nuk kishte imagjinuar ndonjëherë që kryeministri të thoshte po votuat opozitën do ju lëmë pa ujë, pa bukë, pa drita. Jeni duke e çuar Shqipërinë në skajet e pamundurës”, tha Noka.

Ai theksoi se Elbasani ishte shembull i asaj që ndodhi duke paralajmëruar përgjigje nga opozita. “Edi Rama, kjo qeveri dhe rilindje nuk takohet asgjëkund me votën e lirë. Bëhuni gati se tashmë do ju përgjigjemi siç mund t’i përgjigjesh një regjimi kriminal. Nuk ka asnjë rrugë tjetër me ju. Shkoi kursi i euros 100.9 lekë. Ishin 500 mln euro të korrupsionit tuaj dhe të krimit që u hodhën për të vrarë votën e lirë. Prisni përgjigjen, ajo që mund t’i jepet çdo bande qoftë me pushtet, qoftë pa pushtet”, theksoi Noka.