MENU
klinika

Sezoni turistik

30 qendra shëndetësore verore/ Manastirliu: Ekipet, në gatishmëri

17.06.2023 - 11:30

Nga 15 Qershori janë hapur 30 qendra shëndetësore verore në zonat turistike, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë gjatë këtij sezoni veror. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me Kryetaren e Bashkisë Emirjana Sako kanë inspektuar një prej qendrave shëndetësore verore të hapura në qytetin bregdetar, për t’i ardhur në ndihmë pushuesve dhe turistëve gjatë sezonit veror.

“I gjithë bregdeti, por edhe zonat malore kanë tashmë një shërbim efektiv të organizuar në 30 qendra shëndetësore verore, duke filluar nga Valbona, e duke u shtrirë deri në Ksamil. Janë më shumë se 170 mjekë infermierë, punonjës shërbimi të angazhuar në këto struktura, të cilat janë hapur me 15 qershor dhe do të qëndrojnë deri në 15 shtator, për të garantuar një sezon turistik sa më të sigurt dhe të shëndetshëm”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu bëri me dije se krahas qendrave shëndetësore verore, do të jenë dhe 18 postacione me autoambulanca, në zonat turistike.

“Kemi 18 postacione të autoambulancave fikse, që në koordimin me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, me mjekë, infermirë dhe të gjitha pajisjet mjekësore jetëshpëtuese, për t’u koordinuar me strukturat tona në spitale rajonale dhe me njësinë e helikopterëve mjekësorë, që gjithashtu është në gadishmëri 24 orë, ne të kemi mundësi që të kemi një organizim sa më të mirë, sa më cilësor, përsa i përket çdo rasti urgjence apo emergjence shëndetësore, për t’i ardhur në ndihmë pushuesve, turistëve, të cilët në këtë vit do të jenë shumë më shumë në numër se sa kanë qenë vitet e shkuara”,- tha Manastirliu.
Duke folur për fluksin gjatë sezonit turistik, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako tha:

“Vitin e kaluar kemi patur mbi 1 milion turistë dhe vizitorë në qytetin tonë, që do të thotë edhe puna për mjekët shtohet gjatë sezonit turistik. Kjo qendër e hapur në këtë pikë është vetëm disa metra nga plazhi dhe përballon çdo problem që mund të kenë turistët, vizitorët, por edhe banorët. Kemi edhe një qendër të hapur në Gjirin e Lalzit, gjithashtu bashkia do të jetë në dispozicion për pastrimin dhe mirëmbajtjen e plazheve”,- tha Sako.

Ministrja Manastirliu dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit ndoqën nga afër edhe demostrimin e ekipeve të Urgjencës Kombëtare Mjekësore. .

Qendrat shëndetësore verore nga veriu në jug, në bregdet, por edhe në zonat malore, ku gjithashtu numri dhe fluksi i turistëve dhe i pushuesve rritet, hapen çdo 15 Qershor, deri në fund të sezonit turistik. Këtë vit është shtuar edhe një qendër e re shëndetësore verore në Spille dhe janë në total 30 qendra shëndetësore verore 24 orëshe të hapura në të gjithë vendin, nga veriu në jug, nga zonat turistike malore në bregedet. Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjollë, dhe Shëngjin e Tale në Lezhë.

Në Durrës funksionojnë 5 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalzit, Currila, Plazhi i vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, Spille, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24 orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit. Në rajonin e jugut funksionojnë gjithsej 14 qendra shëndetësore verore, të cilat kanë vendndodhjen përkatësisht në: Pogradec; Lushnjë në plazhin e Divjakës; Fier në plazhin Darëzezës; Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër (Vlorë), Radhimë, Orikum. Në Bashkinë Himarë në 6 plazhe, konkretisht në: Palasë, Dhërmi; Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i Vjetër dhe Ksamil i Ri.

Shërbimi në këto qendra shëndetësore ka të dedikuar edhe një paketë prej 100 lloje të barnave dhe materialeve mjekësore dhe një staf të mirëtrajnuar për ofrimin e shërbimit në qendrat verore./ VOA

Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë