MENU
klinika

204 milionë euro për 9 muaj

Investimet e huaja u “mbajtën” nga fitimi i riinvestuar

17.12.2018 - 11:42

Një e katërta e investimeve të huaja për këtë janë fitim i riinvestuar nga kompanitë e pranishme tashmë në tregun shqiptar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimet e riinvestuara këtë vit janë rritur me 67% dhe për nëntë muajt e këtij viti kishin vlerën e 204 milionë eurove.

Po të hiqnim fitimet e riinvestuara, ecuria e investimeve të huaja direkte do të rezultonte negative, me 785 milionë euro, në rënie me 11% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithëse riinvestimi i fitimeve është në vetvete pozitiv, kjo tregon se investitorët e huaja këtë vit po sjellin më pak kapitale të reja nga jashtë në ekonominë shqiptare.

Kjo lidhet edhe me mungesën e projekteve të reja madhore, të krahasueshme me investimet madhore në energjetikë. Një ekonomi e përmasave të Shqipërisë sigurisht që nuk mund të tërheqë projekte të këtyre përmasave çdo vit, për më tepër po të kemi parasysh edhe problemet specifike me klimën e biznesit, shtetin ligjor dhe me ngarkesën fiskale në rritje.

Sidoqoftë, edhe në ata sektorë ku qeveria po përpiqet të japë incentiva, si për shembull turizmi, nismat po ndërmerren kryesisht nga investitorë shqiptarë. Klima ekonomike në Bashkimin Europian dhe Eurozonë ende nuk favorizon një valë të re ekspansioni drejt tregjeve të jashtme.

Nëse fitimet e riinvestuara janë rritur, edhe ato të tërhequra nga sipërmarrësit e huaj. Zëri i të ardhurave neto nga investimet në bilancin e pagesave është përkeqësuar dhe është negativ për 227 milionë euro.

Lëvizjet në kahun dalës ose fitimet e marra nga investitorët e huaj arritën në 296 milionë euro ose 10% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Mes të tjerash, kjo tregon se fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri këtë vit janë më të larta dhe ata po përfitojnë nga rimëkëmbja graduale e ekonomisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për të dytin tremujor radhazi

Investimet e huaja, rënia ka nisur