MENU
klinika

“Ushtarët” e tij po bien një nga një

Gjukanoviç mund të përfundojë pas hekurave

01.08.2023 - 12:04

Shokët e Gjukanoviçit po arrestohen. Për këdo që e njeh Ballkanin modern, këto fjalë nënkuptojnë diçka që ishte e paimagjinueshme deri vonë. Për shkak të të gjithë sundimtarëve ballkanikë dhe njerëzve të fuqishëm në tridhjetë vitet e fundit, Milo Gjukanoviç ishte më jetëgjati dhe më i fuqishmi, siç shkruan “Slobodna Bosna”. “Imagjinoni një njeri që ka qenë katër herë kryeministër dhe dy herë president i vendit dhe është vetëm 61 vjeç. Ishte kryeministër për njëzet vjet, pastaj president për gati një dekadë, dhe është ende katër vjet larg pensionit. Ky është Milo Gjukanoviç”, kështu shkruan media e njohur, duke shtuar se mesa duket, nga ombrella më e fuqishme e Ballkanit ka filluar të pikojë ujë.

Arrestimi i miqve të tij

Sulmi i fundit i policisë ndaj njerëzve të afërt të Gjukanoviçit ndodhi më 24 korrik, kur, Departamenti Special i Policisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit në Podgoricë, arrestoi ish-drejtorin e policisë, Veselin Veljoviç, mikun e ngushtë të Gjukanoviçit. Ai akuzohet për dhënie të informacioneve zyrtare dhe ndihmë në kontrabandën e cigareve. Gjukanoviç, i besonte aq shumë sa që kur ishte president, e emëroi këshilltarin e tij për siguri dhe mbrojtje. Mediat malazeze raportojnë se Veljoviç u jepte kriminelëve informacione konfidenciale që ai i kishte marrë si këshilltar i Gjukanoviçit. Ai është i fundit në një seri të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Gjukanoviçit, të cilët janë sulmuar nga Prokuroria Speciale e Shtetit gjatë vitit të kaluar. Në këtë situatë më parë janë gjetur ish-kryetarja e Gjykatës Supreme, Vesna Medenica, kryetari i Gjykatës Ekonomike, Blazho Jovaniç, prokurori special Sasha Çadenoviç dhe zyrtari i lartë i Agjencisë për Siguri Kombëtare Petar Lazoviç.

“Berluskoni i Ballkanit”

Analistët malazezë e interpretojnë arrestimin e të gjithë atyre “njerëzve të Gjukanoviçit” si pasojë e rënies së ndikimit të tij në ngjarjet në Mal të Zi. Karriera e tij politike përfundoi pasi u mund në zgjedhjet presidenciale në prill të këtij viti, pas së cilës ai dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë. Por ishte një karrierë mbresëlënëse, po aq sa shifrat që lidhen me pasurinë personale të Gjukanoviçit, për të cilën një pjesë e malazezëve besojnë se është e lidhur me “mafinë e duhanit”. Në tetor 2009, Wikipedia publikoi një listë të krerëve më të pasur të shteteve në botë, sipas së cilës Gjukanoviç ishte i dyti më i pasur në Evropë, pas kryeministrit të atëhershëm italian Silvio Berlusconi, ndërsa renditej i 22-ti në botë. Me pasurinë e vlerësuar në 14.8 milionë euro, Gjukanoviç ia kaloi jo vetëm presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe Barack Obamës por edhe mbretëreshës daneze. Po në të njëjtën ditë kur u publikua ajo listë, ish-miku i Gjukanoviçit, Ratko Knezheviq, një biznesmen malazez, dëshmoi në Gjykatën e Qarkut në Zagreb, duke e etiketuar Gjukanoviç si një nga krerët e “kartelit të duhanit” ballkanik. Por Gjukanoviç nuk ishte shumë i shqetësuar nga këto akuza, aq më tepër që prokuroria italiane pezulloi hetimet kundër tij për shkak të imunitetit të tij diplomatik.

Karteli i duhanit

Në vitin 2009, Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) njoftoi se familja e Milo Gjukanoviçit vetëm në dy dekadat e para të sundimit të tij fitoi një pasuri prej gati 200 milionë dollarësh. Hulumtimi i tyre tregon qartë se si organizohej kontrabanda e cigareve në Mal të Zi, përmes të cilave kompanitë dhe vendet pastroheshin paratë dhe kush ishte i përfshirë.  Si dhe të gjitha akuzat e tjera kundër tij, Gjukanoviç e hodhi poshtë këtë raport të ICIJ si “një seri tjetër gënjeshtrash”. Përveç faktit që shumë dyshojnë se pasuria e tij është e lidhur me “mafinë e duhanit”, rruga politike e Gjukanoviçit është gjithashtu e diskutueshme. Mbështetësit e tij e konsiderojnë atë “babain e kombit malazez” dhe simbol të Malit të Zi pro-evropian, ndërsa kundërshtarët e kritikojnë për sundim faraonik, e quajnë “Faust i Malit të Zi” dhe presin që anëtarët e Departamentit të Policisë Speciale të trokasin në derën e tij një ditë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Moska dha miliona edhe për Shqipërinë”

‘Pobjeda’ e Malit të Zi: Sali Berisha, pikë kontakti e Rusisë