Presidenti rus Vladimir Putin, ashtu si perandorët rusë në të kaluarën, ka ndërtuar një “fshat mbretëror” të ri për veten dhe familjen e tij, një konglomerat pronash tokash në Rajonin e Moskës rreth rezidencës së tij zyrtare në Novo-Ogaryovo.
Një hetim nga gazeta e pavarur ruse “Proekt” pretendoi se Putini përdorte kompani sekrete në “off-shore” për të blerë tokë dhe prona luksoze për vajzat e tij.
Zbulimet supozohet se bazoheshin në emailet mes vajzës më të vogël të Putinit, Katerina Tikhonova dhe ish-burrit të saj Kirill Shamalov, i cili është djali i një miku të Putinit.
Katër pallatet dhe rezidenca e Putinit, ndodhen përgjatë autostradës Rublevka, një lagje e pasur ku banojnë një numër oligarkësh, zyrtarësh qeveritarë, të famshëm dhe manjatë.
Dy shtëpi në lindje të Novo-Ogarevës dyshohet se janë blerë në vitin 2006 nga biznesi qipriot Ermira. Zyrtarisht, kompania është në pronësi të një avokati rus, por burime i thanë Proyekt se në realitet ajo i përkiste Putinit.
Prona në vendbanimin Usovo-Plyus, me vlerë rreth 350 milionë rubla (3.5 milionë £), ishte për përdorim të Maria Vorontsova, 38 vjeç, vajza e madhe e Putinit, pas martesës së saj me një biznesmen holandez, tha “Proyekt”.
Në hetim përmenden gjithashtu rinovime të vilës luksoze, që shkojnë deri në 9 milionë dollarë, duke përfshirë një bar 120,000 dollarë me një veshje mermeri dhe një llambadar të veshur me ar, 72,000 dollarë.
Prona dyshohet se ka një spa, një bibliotekë dhe një “dhomë akrobatike”, pasi vajza e Putin është marrë më herët me akrobaci.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se vetë Putini jeton me Alina Kabaeva, 40 vjeç, një ish-gjimnaste olimpike dhe familjen e tyre të re.