MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Duhet të mbajnë fëmijët syze dielli?

11.08.2023 - 13:28

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Duhet të mbajnë fëmijët syze dielli?

Mjeku: Është mirë që fëmijët të mbajnë syze dielli kur janë të ekspozuar në diell sepse rrezet ultraviolet mund të rrisin riskun për të pasur katarakte ose shfaqjen e sëmundjeve të tjera në moshë më të vonë. Nëse fëmijët nuk ndihen komod me vendosjen e syzeve dhe refuzojnë t’i mbajnë mos insistoni. Mbajtja e kapeleve apo strehëzave mund të pengojnë kontaktin e drejtpërdrejtë të rrezeve me sytë e tyre. Kjo do të ishte një zgjidhje më e përshtatshme për fëmijët e vegjël apo edhe ata më të rriturit.

Në rast se fëmija dëshiron të mbaj syze dielli lërini t`i zgjedhë vetë sepse kështu do të ketë kënaqësinë t’i mbajë me vete e t’i përdorë. Kujdesuni që edhe ju të mbani syze dielli pasi ka të ngjarë që fëmija t’ju shikoj juve si model për t’u kopjuar.

Jo çdo syze është e përshtatshme. Kujdesuni të blini syze cilësore që mbrojnë sytë me 99-100% efektshmëri ndaj rrezeve UVA dhe UVB. Në disa etiketa mund të jetë e shkruar që bllokojnë absorbimin e rrezeve UV deri në 400 nm (nanometër), edhe në këtë rast do të thotë që jeni mjaftueshëm të mbrojtur. Është i rëndësishëm edhe vendi ky blini syzet, etiketat e syzeve në dyqanet serioze janë të besueshme, por ndërkohë ato syze që shiten në rruge duhen konsideruar jo mjaftueshëm të sigurta.

Ngjyra e lenteve është në varësi të shijeve personale, kjo nuk ndikon në spektrin mbrojtës që ofrojnë syzet sepse mbrojtja ndaj rrezatimit UV vjen si rezultat i një elementi kimik i cili aplikohet në lente dhe jo në ngjyrën e tyre. Nëse jeni konfuz në përcaktim, mund të zgjidhni ngjyrimin mesatar. Syzet me lente me ngjyrim të çelët nuk janë shumë komode kur ekspozoheni në diell të fortë ndërsa ato me lente shumë të errët do të nxisin zmadhimin e pupilave për të marrë më shumë dritë dhe si pasojë edhe më shumë rrezatim UV, në rast se lentet nuk bllokojnë 100% të rrezatimit.

Shumë njerëz po tërhiqen nga syzet e polarizuara të cilat reduktojnë shkëlqimin. Mos harroni të ndërroni syzet nëse gërvishten dhe mundohuni të zgjidhni xhamat e polikarbonatit për një rezistencë më të lartë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN