“Tingujt e Verës” titullohet koncerti i shfaqur mbrëmjen e djeshme nga Ansambli Popullor në sheshin në qendër të plazhit të Velipojës.
Me një larmi këngësh dhe vallesh tradicionale artistët krijuan atmosferën e një feste në natyrë për kënaqësinë e pushuesve vendas e të huaj.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, me mbështetjen e bashkisë Shkodër. Ansambli Popullor po zhvillon një tur nga veriu në jug të vendit. gjatë sezonit turistik.
Ansambli Popullor është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur.
Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike.