Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili ndodhet në Tetovë është pyetur në një intervistë për marrëdhënien me Edi Ramën. Kurti tha se mbajnë raporte korrekte, për shkak të përgjegjësive institucionale, politike dhe kombëtare që kanë.
“Kemi raporte korrekte, raporte të mira. Është çështje e përgjegjësive institucionale që kemi, por edhe politike e kombëtare, por kjo s’do të thotë që nuk kritikohemi ose që nuk kemi mospajtime asnjëherë për asnjë gjë. Besoj që kritikat janë pjesë e demokracisë dhe ato duhet të jenë konstruktive”.
Kurti foli dhe për anulimin e mbledhjes së dy qeverive nga Rama.
“Është për të ardhur keq që më 14 qershor nuk u mbajt mbledhja e dy qeverive, që u përgatit muaj më parë, por anulimin e saj nuk e kemi bërë ne, përkundrazi ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Është mirë që të mos pritet mbledhja e ardhshme që të nënshkruhen ato marrëveshje, që më në fund u bë nga Tirana zyrtare përveçse nga Prishtina”, tha Kurti.