MENU
klinika

Kujtime

Skënder Petro Luarasi: ‘’Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

15.08.2023 - 17:54

Foto padatuar 1905-1912, Kolonjë – Ersekë (Dhimitër Vangjeli) – “Kolonjarë me veshje kombëtare”.

Me t’u larguar komisioni i kufijve dhe u kuptua që Kolonja mbeti Shqipëri, qeveria e Athinës krijoi edhe në këto vise guvernën epirote. Që në vjeshtën e motit 1913 çeta hierolloqite me oficerë e përforcime ushtarësh grekë, sulmonin fshatrat e banuara nga muhamedanë ku arrestonin burrat më të dëgjuar të vendit që i poshtëronin duke i rrahur në sy të grave.

Në Gostivisht hierolloqitët torturuan aq keq Ismail Ismailin sa që lojti mendsh. Po në këtë fshat një djalë 16 vjeç e shpëtoi prej vdekjes e ëma duke ua rëmbyer andartëve nga duart. Sesi u trembën palikarët nga sulmi i një nëne zemërluane! Në Qafëzez një burrë e lidhën pas një peme dhe e vunë në nishan. Në Treskë e në Trebickë arrestuan pesë djem, i shpunë në Vilë të Shtyllës, i mbyllën në një plevicë dhe i dogjën të gjallë.

Kostë Dhimitër Lito nga Leskoviku, më ka treguar: ‘’Në Treskë një hierolloqit vuri re në një fotografi të çetës së Spiro Bellkamenit, se djaloshi i katërt në rrjesht i shëmbëllente vërtet Petraq Vasil Mano –Gostivishtit.
‘’Ja ku e kemi edhe një tjetër në mes tonë! Lidheni!’’
‘’Petraqin nuk do guxoni t’a prekni me dorë!’’ iu përgjegj një djalë trim nga Leskoviku.
‘’Hesht, se të djegin edhe ty, or lumëmadh!’’ e këshilluan shokët.
‘’Pa ka im atë edhe dymbëdhjetë të tjerë!’’ u krenua djali trim nga Leskoviku për vlerën numerike të mashkullit në familjen patriarkale.

Petraq Gostivishti shpëtoi nga fati i dëshmorëve në Vilë, duke ikur që atë natë në Korçë, ku iu dorëzua prefektit Konduli, me origjinë barbaçe, i cili e mori nën mbrojtje.
Mbasi përmenda barbaçët, i pari që dëgjova të flasë arbërishten e shqiptarëve të Moresë qe ushtari barbaç që thirri Kallomanopullos që të na ndihmonte të merreshim vesh kur unë i thashë që nuk kuptoja greqisht. I dyti qe një oficer që na foli barbaçe ne djemurisë në çardhakune dyqanit të mëhallës sonë. Njëri oficer na pyeti Gjini Rapon e mua në donim të vinim nishan, na dha pushkën e ordinancës dhe që të dy qëlluam mirë.

‘’Bukur! …Bukur!’’ Thirri barbaçi i entuziazmuar.
Por fjalët që më mbetën të pa haruara qenë ‘’klen’’e ‘’glue’’ të një ushtari barbaç.
Një grua grekonjë duke ecur nga dyqani për në kazermë dhe dëgjoi burrat në kuvend duke folur shqip, i qortoi: ‘’Derdhëm gjakun që t’ju lirojmë nga turku, por ju prapë…’’
Vasil Diko i tha se ne qemë shqiptarë e se po flisnim në gjuhën e nënës.. .
Ushtarët që po vinin pas qëndruan të dëgjonin bisedën e ndezur dhe një barbaç ndër të tjera e shau: ’’Klen, i biri i klenit! Gluen e nënës…” etj.

* * *
Për të shpëtuar bashkatdhetarët e tyre nga torturat e hierolloqitëve, nënprefekti i Çorovodës, Themistokli Gërmenji dhe komandanti i fuqive kufitare, Sali Butka, me urdhër të qeverisë provizore të Vlorës, nisën të mernin në dorëzim Kolonjën. Sa u përhap fjala se forcat shqiptare arritën në Vakëfe, andartët u zhdukën nga qarkullimi në fshatrat tona.

Ato ditë komanda shqiptare i dërgoi nga Treska, pleqësisë së fshatit tonë, si gjithë të tjerave, një letër në të cilën u shkruante se me urdhër të qeverisë provizore të Vlorës po vinin të çlironin vëllezërit e tyre nga sundimi i huaj. Të nesërmen, në mes të natës, arriti nga Erseka në fshatin tonë një major në krye të treqind ushtarëve grekë. Pasi mblodhi ndo njëzet e pesë djem, me myftarin Peço Kosta në krye, u nis drejt Qesarakës dhe në agim pati zënë Qafën e Shëmtirit.

Qe dita e 16 janarit 1914.
Në mëngjes u dëgjuan tri krisma nga shkëmbi. Sa luftëtarë që ndodheshin në teqe e shtëpitë rrotull saj dolën e zunë vend .’’T’u biem!’ i tha majori grek Peço Kostës.
‘’Janë në vend të fortë!’’ u përgjegj myftari ynë.
‘’Zjarr!’’urdhëroi komandanti grek.

Kush shpejton, blon! Prandaj që pa gdhirë kur ushtarët grekë u nisën për në Qesarakë, unë u nisa për në mulli, me dy shinikë grurë ngarkuar mbi gomar. Kur po kthehesha, dëgjoja bataretë greke nga njëra anë dhe krismat e shqiptarëve nga ana tjetër. Pasi hëngra një përshesh me qumësht, u sula në Penkollarë që të bëja sehir. Te lëmi qenë mbledhur plot njerëz, burrat të verdhë dyllë në fytyrë, gratë duke lebetitur. Afër drekës, buçima pushou.
Nuk dihet sa të vrarë e të plagosur përcuallën grekët në Ersekë.

Në drekëherë arrin në Penkollarë komandanti me një pjesë të ushtrisë, i zbehtë më keq se fshatarët tanë. Nisi të bisedojë me nënoficerët kur nga shkëmbi u dëgjuan krisma pushke. Një epilluqe me fytyrën e një të vdekuri u ngjit kokëulur drejt komandantit. Seç i tha. Ky i klithi me të shara dhe e goditi në fytyrë…
Ç’pati ngjarë?

Nja shtatë ushtarë grekë duke dashur të ishin ata të parët që do të hiqnin flamurin e Shqipërisë e të ngrinin atë të Greqisë e vunë përpara mjeshtrin Ligor Qirici që t’u tregonte udhën. Shqiptarët i lanë të zbrisnin gjer tek përroi, pastaj u ranë tre të parëve: dy ushtarë grekë e mjeshtri Ligori mbetën të vrarë. Katër të tjerët u dorëzuan.
Që të nesërmen, për një javë rrjesht, ditë e natë, me mijra ushtarë grekë të ardhur nga Konica, me artileri malore, marshuan përmes fshatit tonë drejt veri-perëndimit. Të thoshe se jo në Berat e Vlorë, por në Elbasan e Shkodër do të qëndronin.

Por ata vetëm sa dogjën e bënë plaçkë Vakëfet kur mbajtën për nja dy javë në kufirin e vjetër. Për gjashtë ditë e net, i shpërndante myftari natën, të lodhur e të këputur, nëpër shtëpitë e fshatit. Vetëm në shtëpinë tonë nuk na solli njeri për gjashtë ditët e netët e para.
Nata e shtatë qe një natë shkurti, e bardhë – e bardhë nga dëbora e madhe që kishte mbuluar dhenë. Një trokëllimë në portë na bëri që të na ngrijë gjaku. ’’Hape, Skënder, hape, se këta janë të tutë!” më tha Petro Kosta nga jashtë. E hapa portën: katër xhandarë me uniformë të gjelbër, njëri duke mbajtur të mbështjellë flamurin e Shqipërisë, qëndronin para portës sonë.

Ngjita shkallët me nxitim dhe thirra: ”Ndizni llambat! Ndizni sobën!’’ dhe lajmërova nusen e Gurit e të Tonit, shpejt të na ndihmonin për të shtruar odat e për të gatitur darkën. Pastaj renda në plevicë dhe nga sënduku ku kishim fshehur librat shqip nxorra ’’Istorinë e Skënderbeut”.
Oda e mirë llamburiste nga të dy llambat e mëdha që i ndiznim vetëm për festa të mëdha dhe për mysafirë të lartë.
Ndërsa Petro Kosta, Toni Sevo dhe Luke Fani, i mbanin zgjuar mysafirët e lodhur duke ngrënë meze e duke ngritur dolli për flamurin e Skënderbeut, për Ismail Qemalin e për lirinë e Shqipërisë, gratë në vatër e në furrë pregatisnin darkën. Dhe çobani piqte mishin që do t’iu jepnim udhëtarëve kur të niseshin të nesërmen për në Ersekë.
Por atë natë u zemërova me Tonin sepse nuk më la t’iu këndoja ushtarëve të lodhur ‘’Istorinë e Skënderbeut’’. Të nesërmen që në mëngjes, pleqtë e fshatit, muhamedanë e të krishterë, u mblodhën në shtëpinë tonë. Komandanti shqiptar, Kasem Radovicka, i cili pati qëndruar atë natë në Penkollarë për të nënshkruar me komandantin grek protokollin e dorëzimit, erdhi t’u jepte fshatarëve lajmin e gëzuar se Kolonja u bashkua me Shqipërinë. Dhe kur akoma nuk ishin larguar kompanitë e fundit greke prej sheshit të mëhallës, kur në ballin e shtëpisë sonë u shpalos flamuri i Shqipërisë.

Të nesërmen, djemuria e fshatit, të krishterë e myslimanë, me këngë në gojë e ngritën flamurin edhe te Lëndina (atje ku tani gjendet shkolla ‘’P.N.Luarasi’’ në Luaras )
Në Gostivisht ushtarëve shqiptarë u dolën përpara atdhetarët mes të cilëve Vasil Kita, e bija Paro dhe i biri i saj Petraqi. Ajo i tha djalit të saj: ’’Bir, erdhi dita e madhe e kombit tonë. Merr flamurin e Shqipërisë dhe shko tok me shokët e tu se edhe ti ke luftuar që të lindë kjo ditë për ne.’’
Kështu pas pesëqind vjet robërie nën Turqinë dhe dy vjet nën Greqinë, në Kolonjë ranë hëna e kryqi dhe flatroi shqiponja.
* * *

Por uji fle, armiku nuk fle.
Qeveria greke e vazhdoi pabesinë. Kur u dorëzoi shqiptarëve Korçën, komanda greke la në spital nja treqind ushtarë kinse të sëmurë që do të largoheshin më vonë. Qilarët e Mitropolisë, dhespoti Gjermanos, i pati mbushur plot me pushkë e municione. Një numër grekomanësh besnikë ishin përbetuar për komplotin. Atë mëngjes, kur të binin këmbanat, ushtarë e civilë do të ngriheshin kundër qeverisë legjitime, të sigurtë që nga Bilishti do t’u vinte ndihma e ushtrisë greke për të shtënë në dorë qytetin.
Një ngjarje e vogël ua shkatërroi planet grekëve. Që më 22 të marsit, kafazi i Mitropolitit , kapedan Sulo, erdhi fshehurazi në Korçë dhe hyri në shtëpinë e doktor Polenës. Nga kjo shtëpi, anës qytetit, u nis për në Mitropoli një grua për të lajmëruar konspiratorët që të ishin gati.
Kalamajtë që loznin pranë shtëpisë së doktorit e vunë re kapedan Sulon. Njëri syresh, kur u kthye në shtëpi në drekë-herë, i tha nënës se kishin parë kapedan Sulon. Sevasti Qiriazi-Dako, që u ndodh atje për vizitë, e dëgjoi dhe lajmëroi të shoqin, Kristo Dakon, dhe ky shefin e policisë Themistokli Gërmenjin. Shtëpia e doktor Polenës e Mitropolia u rrethuan.

Në luftën që plasi midis treqind ushtarëve grekë të spitalit e grekomanëve nga njëra anë dhe atdhetarëve shqiptarë nga ana tjetër, me qindra njerëz humbën jetën nëpër rrugët e Korçës, se qe ditë pazari. Kapedan Sulua shpëtoi, por dhespoti Gjermanos dhe gjashtë veta të komitetit konspirator u arrestua dhe u internuan në Elbasan. Përveç dhespotit Gjermanos, ndër të arrestuarit qe edhe koloneli grek Vajraktaris dhe grekomanët Spiro Konda e Efrem Gjini.

Meqë puçi u zbulua tri ditë më herët, ushtria greke nga Bilishti ( që priste 25 marsin të sulmonte) nuk arriti dot në kohë. Fshatarët nën udhëheqjen e Kajo Babjenit zunë grykën e Devollit dhe majat e Moravës, Korça shqiptare shpëtoi. Për këtë fitore ndihmoi shumë Kajo Babijeni. Ai edhe më parë e pati shpëtuar: një herë më 1902, kur bullgarët u përpoqën të përfshinin edhe Korçën në kryengritjen e tyre të Ilindenit dhe më 1903, kur bashibozukët turq deshën ta plaçkisnin si qytet pjesëmarrës në atë kryengritje.

Të egërsuar nga kjo disfatë, ushtria greke, e maskuar në andartiko, goditi sheshit kufirin e Kolonjës. E filloi sulmin duke djegur Leskovikun e duke shtyrë frontin deri në Ersekë, Starje, Gostivisht, Kurtes, Frashër. Ata hynë edhe në Luaras dhe duke mbledhur djemtë e fshatit u nisën për në Panarit. Këtu u kundërsulmuan nga fshatarët. Në zbrapsje e sipër, në varrezat e kishës së Katundit, pushkatuan atdhetarin Leko Mihal Dhosin. Përtej Urës së Orgockës, komandanti grek i ndau djemtë e Luarasit prej grupit dhe u tha: ’’Fshatin tuaj e zaptuan shqiptarët. Dorëzoni armët e kthehuni në shtëpi. Luke Fani e kuptoi planin djallëzor të grekut, që mendonte t’i vriste të gjithë. Doli përpara shokëve dhe me greqishten e tij të çqartë, i tha komandantit se nuk ishin rradhitur në ushtrinë greke që të luftonin vetëm për fshatin e tyre, por për çështjen e të gjithë Epirit. Komandantit i pranoi me lëvdata për Luken e shokët e tij dhe me qortim për kallzuesit.

Kur fshati mori vesh se edhe djemtë e tij kishin ikur me grekët, ata të mëhallave Penkollarë, Priftanj e Mal, me sa plaçka që mund të ngarkonin shpejt e shpejt, kapërcyen Osumin dhe që atë ditë arritën në Lupckë.

Banorët e mëhallës Kostallarë pyetën nënën time se ç’do të bënte. Kur ajo u tha se do të rrinte në shtëpi të saj , qëndruan edhe ata, por u mblodhën në shtëpinë tonë. Atë pasdreke përtej Përroit të Madh, një varg njerëzish u duk në mëhallën Ziskollarë duke ndjekur udhën gjatë kreshtës drejt Shëmtirit.

Në udhën kryq te Shën Triadha një kalorës u shkëput prej rradhës e zbriti udhës së Lisit të Madh për në Kostollarë. U tregova ç’kisha parë dhe kur u thashë që ishin gegë, xha Dhami thirri: ’’Bobo, që do të ma therin!’’

Këta luftëtarë qenë nisur nga Vodica, në mesditë arrinë në Blush, të etur e të uritur. Në fshat, teze Janeja që pati mbetur vetëm në Blush, me kopenë e dhënve në Qilar, u doli përpara. Dhe kur iu ankuan se në atë fshat as ujë s’kishte, ajo u nxori gjashtokjet me qumësht, kos e dhallë, bukë e gjalp e gjithë të mirat që i ndodheshin në dollap. ’’Sa plakë e mirë qënke!’‘’ e lëvdoi njëri.

‘’Të jem motra e Petro Nini Luarasit e të mos jem e mirë për vëllezërit e tij!’ ia ktheu plaka.

Një kalorës, që ia kishte njohur të vëllanë, e pyeti për familjen e Petros. Ajo u tha se qe në fshat dhe iu lut që t’ia kishin kujdes të nipin e saj Skënderin. Kalorësi që zbriti udhës së Lisit të Madh me të arritur në mëhallën tonë thirri: ’’Skënder, Skënder’’. Dhe kur unë ia hoqa llozin portës e dola në udhë ai më inkurajoi: ’’Mos kini frikë, mos kini frikë!’’

Kalorësi qe Hajredin Kallarti.

Ndërsa luftëtarët vazhduan udhën drejt malit, në mëhallën tonë hyri kaluar një oficer me ndonja njëzet veta pas: ’’Kush qenë ata që na qëlluan nga Shkëmbi?’’ më pyeti. Dhe unë i tregova se qenë disa andartë grekë që kishin humbur udhën dhe se njerëzit e mëhallës qenë mbledhur në shtëpinë tonë. Oficeri, major Ahmet Lepenica, më porositi që t’u thosha të shkonin secili në shtëpi të vet.

Në fshatin tonë ai qëndroi vetëm pak ditë. U kthye në Vodicë. Mëkëmbës mbetën Abaz Taushani dhe Faslli Kurti. Ditën kur do të largohej, Ahmet Lepenica zbriti në Kostallarë. Kur po bisedonin ata të tre brenda portës dhe unë, me kapele kashte në kokë, qëndroja te pregu përjashta, një lab që po vinte prej udhës së madhe më thirri: ’’Ti jezit, ç’më mban atë shapkë në kokë!’’

M’u afrua i zemëruar, dhe nuk e di se ç’do të më kishte bërë po të mos i kishte folur Ahmet Lepenica se nuk duhej parë kapelja, po koka.

Sa burra të mirë qenë Ahmeti, Abazi, Faslliu dhe Selaudini! Bashkë me majorin do të largohej edhe Selaudini e unë do t’i zija vendin si sekretar i togës, prandaj më patën thirrur edhe mua në mbledhje. Prej kësaj dite, për mëngjes, unë ngjitesha në mal për atë punë zyre.

Atë mbrëmje të arratisjes as çobani nuk u kthye në fshat. Ushtarët grekër, të thyer e të kthyer e vunë përpara me gjithë lopë e bagëti drejt Lupckës e Përmetit. Viçi kërthi na mbeti pa qumësht. Fëmijët fshatarë janë mësuar t’i shohin kafshët e shtëpisë si pjesëtarë të familjes. Macja kishte të drejtë të zinte edhe kryen e vatrës; edhe qeni mund të ngjitej lart e të kënaqej me përkëdheljet e tyre, qengjin që vinte të shtonte numrin e kopesë në qilar e ngjitnin me katikule në vatër,e lanin dhe e pastronin nga shurdhesa dhe e ngrohnin pranë zjarrit derisa të ngrihej më këmbë. Ajo ditë qe festë në shtëpi. Në sufër na gostitnin me kullostër.

Si fëmijë fshati, i kam dashur pemët, zoqtë, sidomos kafshët. Sa më pëlqente balashi: kau qimeverdhë me pullën e bardhë në ballë; edhe Kazili, po me pullë të bardhë në ballë; dhe dy pendë qe që na ndihmonin të mbillnim grurë e misër e na siguronin bukën e motit; dhe të dy demat që motin tjetër do t’u zinin vendin qeve në parmendë. Dhe përmbi të gjitha më pëlqente lopa krenare që disa ditë më parë na pati pjellë atë viç të bukur-të bukur. Dhe ja ku erdhën andartët që na i thanë qilarë e lugë dhe viçin e vogël na e lanë pa qumësht por ne e mbanim gjallë duke e mëkuar me brumë e mjaltë!

Qe dita e katërt. Atë pasdreke në vatër po rrinim të heshtur si në zi kur befas një trokëllimë e fortë tronditi portën, mandila u këput e kanatat u çelën me tërsëllimë dhe në oborr brenda u vërsulën duke pallur lopa plakë, balashi, kazili,dy demat…Në fillim nuk besuam se qenë tanët, aq ishin buhavitur, mufatur e ndryshuar në fytyrë. Dy ditë udhë të panjohur kishin bërë për të arritur në qilarin e tyre. Ç’fuqi paskish instinkti! Kam një kujtim tjetër për lopën plakë që, nja dy vjet më përpara, në rrugicën e Shën Thanasit, u përlesh me një ujk për t’i shpëtuar jetën mëshqerës së saj. Kur ujku iu turr viçit, lopa e mbërtheu ujkun me brirë përtokë dhe e mbajti poshtë tërë natën. Kur dolëm ne njerëzit e shtëpisë në mëngjes për ta kërkuar, e gjetëm ujkun të ngordhur nën brirët e saj në bark dhe viçin aty pranë. Edhe kafshët mund të bëhen heronj.

Mendoj për ata që përçmojnë atdhenë: të kenë aq ndjenja për vatrën e tyre sa kanë ato kafshët tona ‘’memece’’!

Pa u zgjatur, kapërcej shumë ngjarje me rëndësi më të pakët në rrethin tonë gjer në fund të qershorit, kur edhe miqtë e mij u laguan dhe vendin ua zuri një kompani vullnetarësh me komandant Mehmet Korçën. Ushtarët dibranë e kosovarë, para se të largoheshin erdhën tek ne dhe iu falën nderjes nënës për gjithë ata lakrorë që pati gatuar dhe rrobat që u lau për sa kohë qëndruan në mëhallën tonë.
Dhe vazhduan udhën e Lirisë Kombëtare.

(Pas tri dekadash, Fazlli Kurti erdhi na vizitoi dhe e falenderoi nënën, veçanërisht për dhuratën e shenjtë, pallton e Petro Nini Luarasit, që ajo ia pati dhënë një ditë shiu të mos lagej gjatë rojes.
Nëna e pyeti: ’’Po ata djem asllanë – ç’u bënë?”
Vërtet, ata djem asllanë nga Dibra e Kosova – ç’u bënë… ç’u bënë?)

Ditën e fundit të qershorit erdhën në shtëpinë tonë Luke Fan Simo, i arratisur nga grekët, me dy suvarinj të dërguar nga Kasëm Radovica, në Lubonjë, me një letër në dorë në të cilën më pyeste se për sa kuaj kishim nevojë për të shkuar në Berat. Ne, duke mos e kuptuar rëndësinë e letrës, iu përgjigjëm se nuk kishim nevojë për asgjë. Ata u kthyen tok me Luken i cili vazhdojë udhën për në Korcë.

Për në Korçë, më tre korrik, u nisa edhe unë tok me pazarakët, por qëndruam në Roshanj sepse morëm vesh për mynxyrën që pati pësuar batalioni kolonjar në rrethinat e Mokrës. Vetëm pak fshatarë, ata që kishin njerëz të tyre në atë batalion, vazhduan udhën për në Korçë.

Tregova për komplotin e dy prillit në Korçë dhe për inisiatorët e tij që u internuan në Elbasan kur qyteti ishte akoma nën qeverinë kombëtare të Durrësit. Kur Elbasani ra në dorë të rebelëve, udhëheqësit turkoshakë Haxhi Alia, Qamil Haxhi Fejza dhe Dervish beu bënë marrëveshje me dhespotin Gjermanos, kolonelin Varjaktaris dhe Efrem Gjinin, që Korça t’i mbetej Greqisë dhe kufiri të vendosej në Maliq.

Qamil Haxhi Fejza nënshkroi si përfaqësues i kryengritësve rebelë të drejtuar nga Musa Qazimi. Sipas rebelëve Korça me rrethinat Devoll e Kolonjë duhej t’i mbeteshin Greqisë sepse atje kishte ‘’myslimanë të degjeneruar’’ (bektashinj). Ky fakt zbulohet nga kopja e marrëveshjes së përkthyer në greqisht nga avokat Petraq Kondi.

Prefekti i Korçës, Abdyl Ypi, thirri kolonjarët për të mbrojtur Korçën nga rebelët. Nga të treqind vullnetarët nën komandën e Zalo Prodanit, Izet Zavalanit e Gani Butkës, një e katërta mbetën të vrarë në përpjekjet me rebelët në rrethinat e Mokrës, Qukës e Pogradec. Në ballë të dëshmorëve qe atdhetari veteran Zalo Prodani dhe djaloshi Gani Butka, ndërsa komandanti tjetër Izet Zavalani u plagos rëndë. Përpjekja midis forcave atdhetare dhe forcave turkoshake nën komandën e Qamil Haxhi Fejzos e Mahmut Biçakut qe një fatkeqësi e madhe jo vetëm për Kolonjën por për të gjithë vendin. Përgjatë gjithë frontit kundër grekëve në ata muaj të zjarrtë nuk humbën jetën aq djem trima sa në ato dy ditë në Qukës e në Pogradec. Vetëm nga katundi Starje ranë dëshmorë shtatëmbëdhjetë djem trima shqipëtarë.

Për tu përmendur në krye të tyre është Xhaferr Feti Jupe nga Hodollarët. Duke ardhur nga Amerika që të çmallej me familjen e të bënte dasëm, në Korçë u poq me të vëllanë Hajdarin, u nis vullnetarë pa parë prindër, motër e të fejuar, dhe u vra në Pogradec, ndërsa i vëllai mori dy plagë të rënda. Po në këtë përpjekje me rebelët turkoshakë u vra edhe kushëriri i tyre Shahini, vëllai i të cilit, ndonjë mot e ca më parë, ra dëshmor me Spiro Bellkamenin në Neveskë.

Të tjerë dëshmorë nga Starja që më vijnë ndër mend janë: Hasimi i Shashos nga Haskollarët, Nuri Dume nga Maliallarët, Sadik Zeneli i cili ra në ndihmë të Nuri Dumes kur ky u turr që të “zaptonte” flamurin turk, Hasan Fejziu nga Alikollarët, Shaban Lamçe nga Lamçellarët, Nevruz Kaçolli nga Kaskajt, Muharrem Shabani nga Cengollarët, Shahin Rexhepi nga Jahupasit e Ismail Sheme. Emrat e gjashtë të tjerëve më shpëtojnë nga mendja.Më kujtohen edhe Avdi Kozeli, Çerçiz Bejko nga Zagari, djali i Naxhiut nga Psari i Ersekës, Hysen Teme nga Kodrasi dhe Qamil Rokomi nga Gurakët e Luarasit. Të mos harroj edhe emrin e labit Nevruz Hasanaj që mori pjesë me kolonjarët në Starovë.

Të dielën në mëngjes, më 9 korrik, Mehmet Korçën e pashë të menduar e të brengosur. Të hënën, kur shkoja për punë në mëhallën e Malit, nga Gramozi dëgjova të shtëna me top. Në fshatrat brenda kufirit tonë pashë të dilte tym. Natën grekët kishin dërguar diversantë që tu vinin zjarr plevicave duke shkaktuar panik. Dy fshatarë që po uleshin nga Mali më thanë se Mehmeti me korçarët e tij qe larguar natën. Fshatarët po iknin me familjet e tyre që të shpëtonin kokën. U ktheva edhe unë.

Banorët e Blushit, Qafëzezit, Rroshanjit e Luarasit qenë të fundit që po arratiseshin drejt Beratit.

Tani kuptova brendinë e letrës së Kasem Radovickës. Nëna më mblodhi plaçkat e duhura në torbë, bukë e djathë e ç’na ndodhej në dollap, më dha edhe paratë që kishte dhe më tha të ikja sa më shpejt. Ismaili dhe Nevruz Dauti po më prisnin tek porta, Kajmak Matoruku dhe Gani Adem Karafili prisnin tek Guri i Madh. Nëna dhe motra e vogël, Shega, do të fshiheshin ku të mundnin në Kolonjë a Korçë. Kur u ndamë, nëna më puthi e tha: ”Udhë e mbarë!”

Natën e ngrysëm përtej Shtyllës. Djegien e shtëpive grekët e nisën atë natë. Ndo njëzet fshatra u bënë shkrumb e hi brenda pak orëve.

Nata u bë ditë. Flakët që dilnin nga sarajet e Qafëzezit, me bashodat e zografisme, dukeshi si ylber.

Që në mëngjesin e thellë, nga ana e Frashërit, nga Shkëmbi i Miëanit, grekët nisën bombardimin e Panaritit. Ata u përpoqën të kapërcenin Osumin në Staraveckë e t’ia prisnin popullatës udhën e tërheqjes në Qafën e Martës. Ç’plaçkë do të bënin dhe ç’kasaphanë!

Në vitin 1914 mbi 57 fshatra me 1451 shtëpi në Kolonjë u bënë shkrumb e hi. Andartët therën,dogjën e vranë fëmijë, gra e pleq. Afro 60.000 vetë nga Kolonja, Dangëllia, Përmeti, Skrapari, u nisën muhaxhirë drejt Vlorës. Shkruajta një raport mbi gjendjen tragjike të muhaxhirëve toskë në ullishtat e Vlorës ku ndonja 20.000 gra, fëmijë e pleq vdiqën urije e dizanterije.

Burrat e Luarasit qenë të fundit në atë rrëmet që do të kalonte Qafën e Martës për në Tomorricë. Në qoftë se në përpjekjet e mëparshme i patën mbetur borxh Kolonjës në trimëri, në Qafën e Martës, luarasllinjtë ia paguan me të tepërt duke ndihmuar që turma e popullit të kalonte me sa më pak dëm.

Qafë e Martës! A do të ketë mbetur në këtë shpat të bukur ndonjë pëllëmbë tokë që të mos jetë njomur me gjak shqiptari dhe me lotët e nënave e të motrave e të bijave të atyre që u kacafytën këtu për të shpëtuar nderin e Shqipërisë? Kur më kujtohet mëngjesi i 11 korrikut, më ngjethen mishrat nga ato që ngjanë e ca më fort nga ato që mund të kishin ngjarë në këtë grykë, e denjë për tu quajtur ‘’Termopila shqiptare’’. Ja që kishte patur edhe Shqipëria trima si spartanët për t’u bërë ballë barbarëve.

Asaj dite grekët nuk e kapërcyen dot Osumin në Staraveckë që të arrinin çukën e Frëngut; asaj dite fshatarët tanë treguan se ç’trimëri e madhe zgjohej në zemrën e tyre të thjeshtë kur vinte çasti për të mbrojtur nderin e grave të tyre!

Fehimi i Matorukëve, në familjen e të cilit u gdhiva atë natë, hipi nënën e tij sakate në kalë dhe më tha të shkoja drejt qafës. Plakën, e cila sa e sa herë më pati mbushur xhepat me arra në Matorukë, e zbrita në grumbullin e grave që patën arrirë atje më parë dhe u ktheva për t’a bërë atë rrugë përsëri. Po kjo që them është vetëm një fjalë goje. Tek hiqja kalin për kapistër përmes rrëmujës dëgjoja prej njërës anë, zërin e ndonjë plaku që kërkonte t’u dilnim andartëve përpara, t’u lypnim mëshirë e prej anës tjetër kushtrimin e djelmoshave trima që t’u dilnim andartëve përpara, por për të mos i lënë të kapërcenin Osumin. Në atë buçimë ferri befas dëgjova pranë klithmën e një nëne që iu rrëzua foshnja në greminë. Pashë se si vetë ajo, duke dashur t’a shpëtojë u hodh në fund të honit! Nuk mund të përshkruajë dora ç’ushtimë pushkësh e ç’ulërima grash e fëmijësh, e ç’urdhëra me të thirrura jepeshin nga njëri skaj në tjetrin për të shpëtuar prej së keqes atë që njerëzit kanë më të dashurën në botë… M’u dha rasti ta përdor edhe unë dogranë time të shkurtër, kundër armikut…

Të gjithë kemi parë e dëgjuar në skenë ndonjë dramë, dhe tragjedinë që të ka bërë të derdhësh lot më shumë, atë ke dashur t’a shohësh më dendur në teatër.Të vjen keq për fëmijët e gruan të therur prej Makbethit. Në dramën e Hamletit të vjen keq për Ofelinë. Simpatia për këtë vajzë të mirë të zgjon mëshirë dhe ngushëllohesh.

Mua më ka zënë malli shpesh të shoh edhe një herë atë copë tokë shqiptare ku u zhvillua përleshja e përgjakshme e 11 korrikut 1914, por ku hordhitë barbare nuk mundën të kalonin. Qafën e Martës nuk e kam parë më, por ngadhnjimin atje të heroizmit mbi tragjedinë e shoh gjithnjë me sytë e mendjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Cilat përjetime të rinisë, janë ato të shenjtat?

Për të veçantën e rinisë së Dritëroit…