Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka mbështetur studentët në lidhje me kërkesat.
Ky reagim vjen përmes një deklarate, pas një mbledhje që u zhvillua gjatë ditës së sotme.
Mes tjerash thuhet se do të adresohen të gjitha problematikat që hasin studentët dhe e gjitha kjo do të adresohet në një kohë shumë të shpejtë në institucionet ligjzbatuese.
Gjithashtu në reagim shprehet gatishmëria e këtij institucioni të arsimit të lartë për të kontribuuar në përmirësimin e rregullave në mësimdhënie si dhe shtimin e kërkimeve cilësore në fushën e shkencës.
“Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, duke përcjellë me shqetësim e përgjegjësi zhvillimet e fundit në lidhje me protestën e studentëve të universiteteve publike, në mbledhjen e jashtëzakonshme të tij të datës 18.12.2018, shprehet njëzëri në mbështetje të shqetësimeve të drejta të studentëve dhe zgjidhjes sa më të shpejtë institucionale të tyre.
Njësitë bazë të Fakultetit shprehën gatishmërinë për analizimin dhe evidentimin e hollësishëm të problematikave me të cilat përballet institucioni ynë si pjesë e arsimit të lartë publik dhe adresimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër drejt institucioneve ligjvëvëse dhe ligjzbatuese.
Për problematikat që lidhen me cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe administrimit financiar FSHN ndjen përgjegjësi të plotë për ngritjen dhe vënien në eficiencë të mekanizmave rregullatorë, transparentë dhe të monitoruar përmes një bashkëpunimi të ngushtë me stafin akademik dhe studentët”, thuhet në deklaratë.