MENU
klinika

Mal Berisha e sjell në shqip

“Naltësimi i Iskanderit” nga ish-kryeministri britanik

18.12.2018 - 19:19

Në Muzeun Historik Kombëtar u promovua libri “Naltësimi i Iskanderit” shkruar prej ish-kryeministrit të njohur britanik Benjamin Disrali dhe sjellë në gjuhën shqipe nga përkthyesi Mal Berisha.

Mal Berisha e sjell përkthimin këtë vit që përkon me 550-vjetorin e lindjes së Heroit tonë Kombëtar.

“Naltësimi i Iskanderit” është një përrallë e dashurisë, luftës dhe patriotizmit në të cilën një hero është portretizuar si Zot. Kjo vepër e politikanit, shkrimtarit dhe eseistit Benjamin Disraeli, është pikësëpari një vepër letrare.

Natyra e saj është tejet romantike pasi në atë periudhë Europa ishte në kulmin e lulëzimit të romantizmit si rrymë letrare. Ai u dashurua me figurën e Skënderbeut në udhëtimin e tij në Mesdhe dhe shfrytëzoi literaturën e Barletit për ta njohur akoma më tej këtë hero legjendar.

Mal Berisha padyshim e vendos këtë vepër në linjën e veprave kushtuar Heroit Kombëtar, siç shkroi Barleti, Noli dhe Naim Frashëri.

Për të folur mbi këtë libër ishte një panel i zgjedhur, i përbërë nga Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, profesor Bardhyl Musai, botues, Mal Berisha, përkthyes i veprës “Naltësimi i Iskanderit” studiues, ish-ambasador.

Të pranishmit shprehën vlerësimet, mbresat dhe përshtypjet e tyre mbi librin “The Rise of Iskander” botuar në vitin 1833 nga Benjamin Disraeli, i cili përveç karrierës së tij në politikë renditet ndër njerëzit e shquar, edhe për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u kthye në drejtues shteti.

Novela “Naltësimi i Iskanderit” është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët po fillonin zgjimin e tyre kombëtar dhe figura e Iskanderit ishte pishtari ndriçues në udhën e nisur.

Emrin e heroit, autori e përdor për t’i treguar Anglisë vlerat me të mëdha njerëzore dhe naltësimin e tij moral. Në këtë vepër ndërthuret elementi historik me trillin artistik, duke dalë nga linjat klasike të shkrimit të një vepre kushtuar një figure historike.

Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se autori përshkruan takimin e Skënderbeut me Huniadin dhe marrëveshjen që ata bënë për të mbrojtur krishtërimin; marrja e fermanit nga mëkëmbësi i sulltanit dhe përdorimi si dokument para guvernatorit turk të Krujës për lëshimin e qytetit pa luftë etj.

“Të gjitha këto elemente e bëjnë novelën e Benjamin Disraelit shumë aktuale për lexuesin shqiptar, duke menduar se vepra është shkruar në vitin 1833 dhe shkrimtari e dinte aq mirë historinë e lavdishme të Skënderbeut”, përfundoi Dorian Koçi.

Muzeu Historik Kombëtar dhe Instituti i Studimeve të Historisë Ushtarake organizuan sot sesionin shkencor me temë “Arti ushtarak i Gjergj Kastrioti Skënderbeut”. 

Morrën pjesë me punimet e tyre: Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, referoi rreth temës “Skënderbeu dhe Europa”; Dr. Marenglen Kasmi mbajti referatin me temë “Arti ushtarak shqiptar në shek. XV”; Proletar Hasani foli rreth “Beteja e Torviollit dhe argumente të studiuesit Dilaver Radeshi për vendin e zhvillimit të saj”; Ramazan Kica foli mbi temën “Beteja e parë e Skënderbeut, ku shtriheshin Dibrat, Mokra dhe ku u zhvillua beteja”; Sali Onuzi referoi temën “Një vështrim kritik mbi historiografinë ushtarake shqiptare Skënderberiane për gjysmën e dytë të shek. XX”;

Benard Zotaj foli rreth temës “Betejat e rregullta dhe fitorja e Skënderbeut në fushë të hapur”; Skënder Bushi me temën “Kalaja e Petrelës si pjesë e sistemit fortifikues të përdorur nga Skënderbeu”, si edhe Asllan Zemani me temën “Disa dukuri të ndërtimit të formacioneve të luftimit në luftrat e Skënderbeut”.