Fakti që karakteri i presidentit aktual të Rusisë Vladimir Putinit, është ai e një diktatori të pamëshirshëm ndaj kujtdo që i krijon probleme, që vepron kundër tij, apo që e vë në dyshim udhëheqjen e tij, nuk kishte nevojë që të zbulohej doemos nga atentati i fundit ndaj Yevgeny Prigozhin.
Kronikat e dikurshme dhe të 18 muajve të fundit, janë të mbushura me vrasje të kundërshtarëve dhe oligarkëve me një fund tragjik në Kremlin, të eliminuar ose sepse e “ngatërruan” marmelatën me agjentin kimik polonium, apo sepse improvizuan një ditë si zhytës profesionistë duke u hedhur lartësia e madhe e një shkëmbi, apo sepse fluturuan nga dritaret e kateve të larta duke besuar se ishin shndërruar në “zogj”.
Vdekje paradoksale, të cilat kanë si tipar të përbashkët përmbajtjen e një mesazhi të vetëm nga Cari për Rusinë dhe mbarë botën:Në Kremlin udhëheq unë! I njëjti tipar që për 30 vjet i dha Rusisë një lider si Stalinin gjatë shekullit të kaluar, figurën më të afërt me Putinin sa i përket arsimimit dhe filozofisë politike.
Tek e fundit, sa për të bërë një krahasim – ndoshta të ekzagjeruar – Cari e vrau Prigozhin sepse ky i fundit kishte guxuar ta portretizonte veten si më nacionalist se ai. Ngjashëm me mënyrën se si Stalini që vrau Trockin sepse e konsideronte veten më komunist se ai.
Kulti i personalitetit nuk pranon asnjë konkurrencë. Një mesazh, që e arriti kulmin me eliminimin e të gjithë stafit të milicisë së Wagner. Nga Prigozhin, “kuzhinieri” të cilin Putini e ktheu në një udhëheqës ushtarak, i cili ishte rebeluar kundër tij dhe guxoi të marshonte një ditë drejt Moskës, kanë mbetur vetëm eshtrat e djegura nën rrënojat e një avioni.
Një ekzekutim i pamëshirshëm, i shoqëruar sipas ritualit të Kremlinit me ngushëllimet e Carit për familjen:”Një burrë i talentuar, por me një fat të vështirë!”. Dy fjalë dhe Prigozhin doli nga skena. Dhe së bashku me të u zhdukën edhe iluzionet e atyre që mendonin se mund ta zgjidhnin konfliktin me Ukrainën duke e eliminuar fizikisht Vladimir Putinin.
Projektet të përpunuara dhe diskutuara për muaj të tërë, ëndrra për destabilizimin e Rusisë, që me sa duket nuk kanë ndonjë bazë reale, sepse një regjim i bazuar tek terrori, ose e zhduk nga faqja e dheut, ose nuk e ndryshon dot. Përmes luftës apo paqes qoftë, Perëndimi duhet të përballet me banorin aktual të Kremlinit.
Është një realitet, të cilin ai është i detyruar ta marrë parasysh, ashtu siç pas dështimit të “operacionit special” në Ukrainë të ushtrisë ruse, Vladimir Putini i duhet të negociojë me Volodymyr Zelenskyn, i pëlqen apo jo diçka e tillë.
Kështu humbi një nga epilogët e mundshëm të konfliktit. Dhe kjo është ajo që na intereson, sepse shtron një pyetje me shumë rëndësi:Kur të mbërrijë momenti, kur rezultati në fushën e betejës të sinjalizojë një ngërç të pakapërcyeshëm, a mund të arrihet një kompromis me një figurë si Vladimir Putini?
Real politik ofron vetëm një përgjigje:po. Sepse ose zotëron forcën për ta eliminuar një diktator (si në rastin e Saddam Husein), ose pajtohesh me të (si me Stalinin në Jaltë). Por nuk mund t’i besosh bashkëbiseduesit, duhet të garantosh veten.
Nuk mund të ketë një përsëritje të Marrëveshjeve të Minskut. Me disa bashkëbisedues, marrëveshjet që mund të arrihen vetëm përmes diplomacisë janë si të “shkruara mbi ujë”.
Me to është i mundur të arrihet një lloj ekuilibri i bazuar tek armët, tek balanca e forcave (si në Konferencën e Jaltës). Prandaj, garancia e vetme për Ukrainën është anëtarësimi i saj në NATO.
Burimi: Il Giornale