“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Kurimi i problemeve në shqiptim
Mjeku: Logopedia është një shkencë afër mjekësisë që trajton nga afër problemet e komunikimit, të gjuhës, të folurit dhe të zërit që nga fëmijët e vegjël e deri tek të rriturit të cilët për motive të ndryshme mund të shfaqin vështirësi në komunikim apo në të folur.
Shkaqet që çojnë drejt këtyre problemeve mund të jenë të ndryshme si shkaqe organike, funksionale, sociale apo edhe psikologjike.
Riedukimi logopedik është një mënyrë ushtrimi, qëllimi i së cilit është kryerja sa më e saktë e lëvizjes së strukturave anatomike ( laringut, qiellzës së butë, nofullës, buzëve) në mënyrë që tingulli të shqiptohet gjithnjë e më mirë në fillim veçmas, më pas në rrokje e më vonë në fjali, qoftë ai në fillim, në mes apo në fund të saj.
Ushtrimet që kryhen gjatë riedukimit, zhvillohen në një frymë mirëkuptimi e në formë loje, në mënyrë që tek fëmija mos të ketë forcime, por të këtë një vendosje të natyrshme të tingujve. Fëmija fillon e mësohet me gjuhën e tij, mënyrën sesi ajo flitet, duke e parë, dëgjuar, prekur, krahasuar e dalluar. Për vetë moshën që ka, ai nuk duhet shtrënguar e futur në përsëritje, korrigjime e qortime të tilla, si: “Ja thuaje si unë; nxirre gjuhën, shtrëngo më shumë buzët etj.
E rëndësishme është që ju ta shqiptoni tingullin mirë dhe qartë, duke i treguar fëmijës praktikisht mënyrën sesi tingulli shqiptohet, dhe jo të kërkoni me ngulmim shqiptime të sakta që në fillim, pasi është vënë re se sforcime të tilla sjellin probleme të reja.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.