Ansambli Bellini i provincës së Katanjës në Itali solli në një koncert të rrallë në Gjirokastër kompozime të njohura të muzikës së dhomës si pjesë e festimeve të ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës.
Grupi muzikor klasik i krijuar për të nderuar emrin e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj italianë Vincenzo Bellinit ja dedikoi performacën jo vetëm kujtimit të shenjtores shqiptare por edhe kurajos, talentit dhe prurjeve të një gjenerate të re kompozitorësh të dekadave të fundit. Orkestra e drejtuar nga violinisti Aldo Ferrente interpretoi pjesë të njohura të muzikës së filmave kryesisht italianë të njohur gjerësisht edhe nga publiku shqiptar.
“ Më duhet të them se kemi gjetur një publik të vëmendshëm dhe kompetent, njohës të muzikës së filmave dhe vetë filmave. Kur publiku është i tillë të jep kënaqësi dhe kurajo për të interpretuar. Patëm fatin të përmbledhim pjesë të autorëve të mëdhenj italianë që zakonisht kërkojnë orkestra të mëdha brenda një grupi të vogël instrumentistësh të muzikës së dhomës dhe besojmë se kemi përcjellë atë që këta autorë kanë dashur të inspirojnë përmes linjës së tyre muzikore”- u shpreh Aldo Ferrente, violinist.
Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë evidentoi faktin se grupe muzikore të nivelit të Ansamblit Bellini janë mirëpritur në skenat më të mëdha botërore dhe vetë prania e tyre në Gjirokastër për të përfaqëson një tjetër nivel të shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve.
“Jemi shumë të lumtur që gjendemi këtu sot në këtë etapë të turit shqiptar të Ansamblit “ Massimo Bellini” të Catanjas për nderuar festimet e ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës një figurë shumë e dashur për popullin shqiptar. Vitin e kaluar për të njëjtën ngjarje prezantuam kuartetin e harqeve të “La Scala” Prezantuam për publikun një muzikant me famë botërore dhe grupin e tij të muzikës së dhomës në një tur që do të përshkojë edhe qytete të tjera shqiptare.”- shprehet Iva Palmieri konsulle e Italisë në Vlorë.
Grupi muzikor dhe teatral “ Massimo Bellini” i Catanjas u themelua në vitin 2013 dhe që atëherë i ka qenë pjesë e qindra eventeve ndërkombëtare për të promovuar muzikën bashkëkohore të dhomës dhe autorët e rinj.