Në qytetin e Beratit një vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithnjë e më shumë restaurimit të banesave.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha sot se “në lagjen “Goricë” ndërhyrjet po vijojnë me restaurime dhe vendosjen e portave të reja të banesave karakteristike përgjatë rrugës “Kristaq Tutulani” përgjatë pedonales së Goricës”.
Sipas tij, puna është në proces edhe me vendosjen e elementëve dekorativë në porta, si doreza karakteristike dhe mekanizmat e hapjes së portave.
“Ndërkohë paralelisht vijojnë investimet e banorëve të Goricës, me restaurimet e banesave për t’i kthyer ato në bare, restorante dhe bujtina”, tha Demo.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.