Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel, ka deklaruar se beson se Ukraina mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
“Ukraina mund të jetë anëtare e BE-së në vitin 2030 nëse të dyja palët bëjnë pjesën e tyre”, tha Charles Michel.
Ai theksoi se BE-ja duhet të “përshpejtojë procesin e vendimmarrjes“, duke shtuar se pranimi i shpejtë i Ukrainës “do të dëshmojë gjithashtu se Bashkimi Evropian është i aftë për ndërhyrje gjeopolitike“.
Ai sqaroi megjithatë se nuk do të ketë lehtësim të kritereve të anëtarësimit në BE për Ukrainën apo vendet e tjera kandidate. Përveç Turqisë, kandidatë për anëtarësim janë edhe gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. “Ukraina dhe vendet e tjera kandidate (për anëtarësim në BE) duhet të zbatojnë reforma, të luftojnë korrupsionin dhe të përmbushin kërkesat ligjore“.
Perspektiva e zgjerimit është një nga temat që do të shqetësojë liderët e Komunitetit Politik Evropian gjatë takimit të mbajtur nesër në Granada të Spanjës.