MENU
klinika

Vrasësi i pamëshirshëm!

Krimet më të bujshme, si Laert Haxhiu nuk kurseu as kushëririn e tij

04.10.2023 - 21:04

Laert Haxhiu një vrasës i pamëshirshëm nuk ka kursyer as kushëririn e tij, të cilin pasi e torturoi e hodhi të lidhur në liqen, vetëm për faktin se kishte frikë se ai tregonte krimet e tij. Kjo vrasje dhe shumë të tjera janë zbardhur pas dëshmivë të bëra nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka treguar të gjitha krimet që Haxhiu dhe banda e tij kanë kryer.

Artan Tafani, ra në prangat e policisë një javë më parë pas grabitjes së kryer në zonën e Astirit. Ai u arrestua pasi akuzohet edhe për vrasjen e Alban Semakut, alias Elton Mermalit. Pasi u vu në prangat e policisë ai vendosi që të bëhet i penduari i drejtësisë dhe të hedhë dritë mbi ngjarjet kriminale që hakmarrësi dhe i pamëshirmëshi Laert Haxhiu ka urdhëruar.

Vrasjet dhe skemat e përdorura nga Laert Haxhiu dhe grupi i tij: 

Si u vra  Alban Semaku, alias Elton Mermali, i cili thuhet se kishte marrë pjesë në vrasjen e Bledar Haxhiut, të afërmit të Laert Haxhiut. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1998, i kryer nga banda e Lushnjës e drejtuar nga Aldo Bare, por që emrin e tij e nxori në dritë atëkohë i penduari Petrit Lici. Vitet e fundit, Semaku ishte kthyer në një përdorues të lëndëve narkotike dhe nuk kishte shumë ditë që kishte dalë nga burgu kur u gjet i ekzekutuar në Peqin. Artan Tafani tregoi përpara hetuesve se sapo Laert Haxhiu mësoi se Semaku ishte liruar nga burgu, thuri një plan për ekzekutimin e tij dhe për ta mundësuar këtë plan. Tafani tha se e nxori nga shtëpia duke i premtuar se do ti gjente drogë, teksa i rrëfeu se e priti Semakun para shtëpisë me makinën e tij dhe sapo ai mbërriti, ata u nisën drejt Peqinit.

“Unë dhe Eltoni konsumonim drogë sëbashku. Ai kishte dalë nga burgu dhe Laerti e kishte marrë vesh dhe më dha urdhër që ta vrisja. Kam shkuar me makinën time dhe e kam pritur afër shtëpisë. Ai erdhi dhe u nisëm drejt Peqinit se i kisha thënë do i gjeja drogë.

Kur mbërritën në Peqin ndaluam në një zonë që i thashë se ishte droga. Atë moment e qëllova me plumb pas koke”, ka deklaruar Tafani sipas dosjes hetimore.

Nga provat e mbledhura në vendngjarje, por edhe dëshmia e tashmë të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, por edhe ballafaqimi i fakteve, u provua se ishte ai pikërisht autori i vrasjes së Alban Semakut. Ndërkohë grupi hetues, arriti në konkluzionin se pas kësaj vrasje, urdhëruesi ishte Laert Haxhiu.

“Më datë 17 Tetor 2021 rreth orës 10:00, në lagjen Çezmë, Peqin është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Alban Semaku alias Elton Mermali. Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes në cilësinë e provës materiale ndër të tjera u gjetën dhe u sekuestruan dy gëzhoja në formë cilindrike në ngjyrë si të bronxit me kapsollën në fundin e tyre të goditur me markerim ‘GPL-09’, dhe nga kqyrja e kufomës rezultoi se viktima kishte 3 plagë të shkaktuara me armë zjarri, një në pjesën e kokës dhe dy të tjera në trup.

Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë procedim penal, si deklarime, kqyrja e pamjeve filmike, përgjime telefonike dhe ambjentale, është identifikuar si autor i dyshuar i kësaj ngjarje shtetasi Artan (Marjus) Tafani dhe Laert Haxhiu, Lulzim Spahija (Arapi).”, thuhet në dosjen hetimore.

Tashmë ishte bërë e udhës që grupi kriminal i drejtuar nga Laert Haxhiu nuk kishte të ndalur në krimet e tij, madje duke i shpërndarë ato edhe gjeografikisht, duke krijuar edhe një amulli te vetë hetuesit, që këto kohë ishin mjaftuar vetëm duke mbledhur viktimat. Kështu, një tjetër vrasje, që i atribuohet grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu, është edhe ajo në Tepelenë, e shtetasit Çajup Selimi, i cili u qëllua për vdekje poshtë pallatit të tij më datë 1 Qershor 202, gjatë orëve të mbrëmjes. Vrasje për të cilën edhe këtë herë u rrëfye, Artan Tafani, cili hodhi dritë mbi ekzekutimin, që kishte mbetur deri më sot pa autor.

“Çajupin e prita poshtë pallatit. Sa erdhi nga erdhi nga puna e qëllova. Për lëvizjet e lëvizjet e viktimës ata që më njoftonin ishin  Erisiano Abedini dhe Bujar Abedini. Që di motivi i vrasjes ishte një lidhje intime që ai kishte”, ka deklaruar Artan Tafani sipas dosjes hetimore.

Por vetëm një ditë pasi vranë në Tepelenë, Çajup Selimin, grupi u kthye për të kryer një tjetër vrasje, këtë herë atë të Fridman Xhaferraj, kushëri me Laert Haxhiun. Xhaferraj pasi u torturua, u hodh më pas i lidhur në rezervuarin e Gjangit, për tu gjetur më pas nga një peshkatar i zonës. Xhaferraj i cili i vra vetëm për faktin që kushëriri i tij gjakësor, rronte me dyshimin se ai mund të rrëfente krimet e bandës.

“Vrasja me paramendim e shtetasit Fridman Xhaferaj, e ndodhur më datë 2 Qershor 2021 dhe e konstatuar më datë 13 Qershor 2021) në qytetin e Korçës.

Nga aktet e procedimit penal lidhur me këtë ngjarje rezulton se: Më datë 13 Qershor 2021, në orën 10:38, një telefonues anonim i cili kishte  shkuar per peshkim ne rezervuarin e Gjangit në Korçë, ka telefonuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë se kishte parë një person të  mbytur në rezervuar, por nuk është afruar për ta parë nga afër.

Nga grupi hetimor në vendngjarje është konstatuar se në anë të rezervuarit, përballë vendit të quajtur ‘Vakëfi’ është gjetur një kufomë e seksit mashkull e lidhur me litar, e paidentifikuar e cila kishte filluar të dekompozohej. Nga kqyrja e kufomës ka rezultuar se viktima ka pasur një dëmtim në pjesën  e pasme të kokës me gjatësi rreth 7 cm, shkaktuar me send të fortë.

Në veshjet e kufomës u gjet një Fletë lirimi nga IEVP Peqin, datë 21 Maj 2021,  me emrin Fridman Xhaferaj.

Nga verifikimi në Sistemin TIMS rezultoi se shtetasi  Fridman Xhaferaj është shpallur në kërkim në datën 24 Shkurt 2021 për veprën penale ‘Shkatërrim prone me zjarr;”, thuhet në dosjen hetimore.

Lidhur mbi vdekjen makabre të të vëllait, Aleksandër Xhaferaj, tha për hetuesit se më 24 maj 2021 në shtëpinë e tij bashkë me Fridmanin kishte shkuar edhe një person me emrin Kristi Bixheku. Sipas tij, Bixheku drejtonte një automjet ‘Mercedez-Benz’ me ngjyrë të zezë, të cilën e kishte marrë atë dhe të vëllanë dhe kishin shkuar në Elbasan ku ishin takuar me Lulzim Arapin. Ndërsa Fridmani me Kristi Bixhekun sipas tij u nisën drejt Korçës, pasi i vëllai do të shkonte për në Greqi. Po ashtu i penduari i drejtësisë Artan Tafani, tregoi për hetuesit se Laert Haxhiu e vrau Fridmanin pasi kishte frikë se mos e tradhtonte.

“Laerti dyshonte se Fridmani e kishte tradhtuar dhe I kërkonte llogari. Fridmani e kishte marrë atë nga burgu dhe e kishte kërcënuar që te ndërhynte për tu liruar. Para se ta vrisnim e kemi dhunuar në mënyrë barbare. Ai e kuptoi se do ta vrisnim.

Ai përpiqej të shpëtonte, por nuk kishte mundësi, pasi e mbanin nga krahët. Lutej e përgjërohej, por e qëlluam me plumb në kokë. Trupin e lidhëm dhe e trasportuam me makinë dhe e hodhëm në rezervuar”, ka deklaruar Artan Tafani sipas dosjes hetimore.

Por, krimet e bandës së Laert Haxhiut nuk u ndalën këtu, ato ishin vetëm në fillimet e tyre. Brenda kalendarit të vitit 2021, grupi kreu edhe një tjetër vrasje, këtë herë viktima ishte Albi Bashaliu.

“Më datë 27 Dhjetor 2021, rreth orës 08:30, është njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan se në fshatin Gjoçaj, të Bashkisë

Peqin, pranë lokalit të shtetasit Sami Bashaliu është vrarë nga dy persona të paidentifikuar  shtetasi Albi Mustafa Bashaliu, i datëlindjes 4 Maj 1989, banues në këtë fshat.

Nga veprimet hetimore të kryera në vendngjarje ka rezultuar se në këtë datë shtetasi Albi Bashaliu ka shkuar i vetëm me automjetin e tij të markes Volksvagen me targa DR 1074 F për te lokali i shtetasit Sami Bashaliu të ndodhur në fshatin Gjocaj, Bashkia Peqin.”, thuhet ne dosjen hetimore.

Sipas dinamikës së ndërtuar të ngjarjes, Ardi Bashaliu u qëllua sapo parkoi makinën pranë lokalit të të afërmit të tij, nga dy autorë të cilët mbanin maska anti-covid.

“Sapo shtetasi Albi Bashaliu ka zbritur nga mjeti i tij, atij i është afruar një shtetas i cili ka patur të vendosur një maskë Covid dhe e ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistolete duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Personi që e ka qëlluar ka zbritur nga një automjet tip Audi A5, i cili ndodhej i parkuar pranë lokalit dhe ishte bashkë me një shtetas tjetër. Pas ngjarjes të dy këta persona kanë djegur në vendngjarje mjetin e tyre dhe pasi kanë marrë çelësat e mjetit të markës Volksvagen me targa DR 1074 F, në përdorim të shtetasit Albi Bashaliu janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me shpejtësi”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra sipas policisë, autorët u larguan nga vendi i krimit me makinën e viktimës. Sipas rrëfimit edhe këtë herë të të penduarit, Artan Tafani, edhe Arbi Bashaliu u vra nga grupi i Laert Haxhiut, si shenjë hakmarrje për një vrasje që vëllai i tij kishte kryer.

Albi Bashaliu dyshohet se është vrarë për motive gjakmarrje, pasi vëllai i tij Leonard Bashaliu kishte vrarë Ylber Xhahysën, mëngjesin e 8 qershorit.

Laerti mori 50 mijë euro për vrasjen. Paratë ja dorëzoi Ilir Lamberti. Ai kishte lidhje me Xhahysët. Vrasjen e kam kryer unë me urdhër të Laert Haxhiut”, thuhet në dosjen hetimore.

Por Laert Haxhiu kishte nisur të spastronte kundërshtarë të tij edhe jashtë Shqipërisë, aty ku mendohet se ka kryer dy vrasje. Sipas drejtorit të policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, vrasja e parë e dokumentuar tashmë nga Laert Haxhiu, në Greqi, është ajo e Lulzim Qorrit, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz më 12 dhjetor 2018 teksa po pinte kafe në një lokal pranë sheshit Omonia në Athinë.

Lulzim Qorri u vra nga dy persona të armatosur që lëviznin me motoçikletë të cilët iu afruan shënjestrës së tyre dhe qëlluan pa mëshirë në drejtim të tij, ndërsa u larguan duke mos lënë pas asnjë gjurmë që të mund ti identifikonte. Një tjetër vrasje në Greqi për të cilën akuzohet tashmë Laert Haxhiu dhe grupi i tij është edhe ajo e Dikens Halilit, i cili edhe ky u vra teksa qëndronte në një lokal në kryeqytetin grek, Athinë, më datë 3 tetor 2021. Halili u qëllua nga një burrë i maskuar, i cili iu afrua pronarit në këmbë që ishte jashtë kafenesë dhe po bisedonte me klientët. Sipas mediave greke Halili ishte një emër i njohur për autoritetet pasi ishte me precedent të mëparshëm penal dhe dyshohet se vrasja ndodhi për larje hesapesh. I penduari Tafani iu tha hetuesve se Laerti organizoi vrasjen e tyre, pasi ishin përplasur për drogën në Roterdam.