“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Infeksioni në kanalin e jashtëm të dëgjimit, çfarë duhet patur kujdes?
Mjeku: Otiti i jashtëm, është një infeksion në kanalin e jashtëm të dëgjimit.
Këto infeksione nuk ndodhin vetëm në stinën e verës, por mundet që infeksioni të krijohet nga futja dhe bllokimi i ujit në vesh gjatë dushit.
Asnjëherë kanalet e dëgjimit nuk janë anatomikisht njësoj, njeri mund të jetë më i ngushtë, me më shumë kthesa deri në daullen e veshit, ku uji mund të bllokohet dhe ky vesh mund të ajroset me vështirësi duke krijuar prirje për një infeksion të mundshëm.
Këta pacientë, duke dashur të thajnë veshin me kunja pambuku apo me mjete të tjera rrethanore, i hapin portën fillimit të infeksionit. Kjo mund të ndodhë si në dush, pishina, ashtu edhe në plazhe, në ujëra jo shumë të pastra, por ndonjëherë edhe të pastra, pasi është pikërisht anatomia e veshit që krijon prirje.
Siptomat:
Dhimbje veshi, dhimbje në anën e fytyrës ose qafës, nyjet limfatike të fryrë, kruarje, skuqje, ënjtje, zhurma në vesh dhe marrje mendsh.
Shkaqet:
Kanalet e ngushta të veshit: fëmijët shpesh kanë kanale veshi që janë të vogla dhe nuk thahen.
Reagimet e lëkurës: ndonjëherë produktet e flokëve, produktet kozmetike dhe bizhuteritë mund të irritojnë lëkurën dhe shtojnë shanset për t’u infektuar.
Futja e sendeve të ndryshme në vesh: nëse përdorni pambuk, gishtat, ose ndonjë gjë tjetër për të pastruar veshët, kjo mund të fshijë dyllin mbrojtës të veshit dhe të dëmtojë lëkurën.
Edhe kufjet e kanë këtë efekt, sidomos nëse i përdorni shumë.
Moti i lagësht dhe djersa: mikrobet preferojnë një ambient të ngrohtë dhe të lagësht për t’u shumuar, kështu që krijimi i lagështisë në vesh është i favorshëm për ta.
Mosha: është më i zakonshëm tek fëmijët dhe adoleshentët.
Si ta trajtoni:
Nëse keni dhimbje veshi, vizitoni menjëherë mjekun.
Sa më shpejt të paraqiteni të mjeku pas infeksionit të parë, aq më e lehtë është terapia. Për të kuruar infeksionin vendoset një tampon steril me garzë ose pambuk, që ngelet në vesh deri në 48 orë dhe pikohet me solucione të përbëra me antibiotikë e kortizonikë që ulin fryrjen e kanalit, mjekojnë infeksionin dhe qetësojnë dhimbjen.
Njëkohësisht mund të shoqërohet terapia edhe me qetësues të dhimbjes nga goja.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.