Qeveria parashikon që menaxhimi i burimeve njerëzore në administratën publike të ketë një qasje më të shpërblyer financiarisht, duke parashikuar që deri në vitin 2025, nëpunësit civilë të kenë një rritje mes 11 – 16%.
Dokumenti i “Masave prioritare të Administratës Publike” 2023-2030 i nxjerrë për konsultim fillimisht në shtator dhe i rihedhur për konsultim këtë të martë ka rishikuar pjesën e rritjes së pagave, duke e zgjeruar këtë me informacion dhe masa shtesë.
Në dokumentin e mëparshëm, specifikishit në pjesën e politikës së pagave, thuhej: “Administrata publike mbetet atraktive në tregun e punës. Raporti i pagave është rregulluar për pozicionet drejtuese.
Shtesa e vjetërsisë është rritur për të shpërblyer përvojën për pozicionet në administratën publike. Paga mesatare mujore në administratën publike e rritur në 900 euro deri në vitin 2024”.
Plani i ri për politikën e pagave
Në dokumentin e ri të nxjerrë për konsultim sa i takon politikës së pagave dhe metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës, pas ndryshimeve ligjore, nënvizohet një tjetër paragraf më i zgjeruar që parashikon edhe planet e reja për pagat.
“Administrata publike mbetet atraktive në tregun e punës. Rritje e numrit të aplikimeve për pozicionet vakante. Raporti i pagave është rregulluar për pozicionet drejtuese për të përballuar ndryshimet në pozicionet e niveleve të larta drejtuese.
Shtesa për vjetërsi në punë është rritur për të shpërblyer përvojën për pozicionet në administratën publike. Paga mesatare mujore në administratën publike e rritur në 900 euro deri në vitin 2024, nga 530 euro aktualisht.
Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2023:
Ø pozicionet e kategorisë ekzekutive nga 19-41%;
Ø pozicionet në nivelin e ulët drejtues 28-34%;
Ø pozicionet në nivelin e mesëm dhe të lartë drejtues 25-35%.
Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2025 për pozicionet e kategorisë ekzekutive me 11-16% krahasuar me vitin 2023.
Sistemet dixhitale që mbështesin menaxhimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore janë plotësisht funksionale dhe lejojnë automatizimin e listëpagesave dhe zbatimin e praktikave të mira dhe forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve të administratës publike, brenda vitit 2028” thuhet në dokument.
Çfarë ka ndodhur?
Por ndërkohë nga ana tjetër, rritja e pagës minimale me ritme më të larta se paga mesatare në sektorin privat, duket se ka ngushtuar ndjeshëm hendekun ndërmjet një rroge mesatare dhe minimale gjatë vitit 2023.
Të dhënat e INSTAT referojnë se në 3-mujorin e dytë të vitit 2023, paga minimale ishte sa 60.6% e pagës mesatare në sektorin privat nga 55.8% që ishte ky raport në tremujorin e dytë të vitit 2022.
Me tre vendime të njëpasnjëshme, qeveria e ka rritur pagën minimale gjatë një viti me rreth 25%, duke e çuar në 40,000 lekë në prillin 2023, nga 32,000 lekë në tremujorin e parë 2022. Paga mesatare në sektorin privat në të njëjtën periudhë të vitit 2023 arriti në 65,901 lekë, me rritje 15%, nga 57,613 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2022.
Qeveria aplikoi rritje rekord të pagës minimale në shkallë vendi në 30 vitet e tranzicionit, me qëllim për të nxitur pagesa më të larta edhe në nivelet e tjera të pagave.
Të dhënat tregojnë se edhe paga mesatare në shkallë vendi u rrit më 2023 me ritme rekord në dekadën e fundit, por ato nuk ishin aq të larta se të ruhej diferenca me pagën minimale. Tregu i punës po gjeneron ofertë të bollshme për punë në profesione që nuk kërkojnë kualifikim.
Zhvillimi i turizmit rriti ndjeshëm kërkesën për punonjës të pastrimit, dhe nga në anën tjetër në sektorin e ndërtimit kërkesa për punonjëse krahu është e lartë duke bërë që pagat për këtë kategori të jenë shpesh mbi nivelin minimal.
Rritja e pagave në sektorin privat po nxitet më shumë nga zhvillimet demografike që ka krijuar mungesa jetike për shumicën e aktiviteteve se nga politikat zhvillimore dhe rritja e produktivitetit.
Pavarësisht vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare për rritjen e pagës minimale, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj, vendi ka vijuar të ketë pagën minimale më të ulët në Europë, kur krahasohet sipas fuqisë blerëse, sipas përditësimit të fundit të Eurostat, që i përket datës 20 korrik, ku nuk përfshihen të dhënat për Kosovën. Në Shqipëri paga minimale është 375 euro në korrik 2023.
Në Mal të Zi, paga minimale është 532 euro, më e larta në rajon. Në Serbi, paga minimale është 460 euro. Maqedonia e Veriut përditësimin e fundit e ka për 60mujorin e dytë 2021, kur niveli ishte rreth 360 euro. Bosnjë Hercegovina nuk raporton pagë minimale.
Ndërsa paga mesatare bruto për vendet e Ballkanit Perëndimor u luhat midis 800-900 euro në muaj më 2022, nga rreth 520 euro që është mesatarja në Shqipëri, ose mesatarisht rreth 40% më e lartë sesa tek ne.