Projekti i Parkut Ekologjik të Durrësit është në finalen e çmimit më prestigjioz botëror të arkitekturës.
Komiteti përzgjedhës i çmimit “Mies van Der Rohe” ka vlerësuar transformimin e shkëlqyer të një gangrene urbane plehrash, në një flamur të inovacionit ekologjik dhe arkitekturor.
Ekoparku i Durrësit, nga një venddepozitimi mbetjesh tashmë është shndërruar në një oaz të gjelbër rekreativ.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga transformimi që ka ndodhur në fushën e mbetjeve në Durrës.
“Projekti i Ekoparkut të Durrësit, shembëlltyra e një rilindjeje spektakolare pas një pune kolosale transfomuese, i cili falë talentit të arkitektit spanjoll Jesus Hernandes, ka hyrë dje në finalen e çmimit “Mies van Der Rohe”, më prestigjiozi i çmimeve të arkitekturës në botë”, u shpreh Rama.
Ekoparku i Durrësit është një park i madh publik i ndërtuar mbi një ish-landfill, që ishte një problem serioz mjedisor për qytetin.
Nga djegia e mbetjeve pa ndërprerje, ndotja e kanaleve kulluese, ndotja e ujërave të zonave kufitare dhe atyre nëntokësore, kjo fushë është transformuar tërësisht, duke u kthyer në një motor të madh ekonomik për Durrësin.
Ekoparku ka një sipërfaqe prej 155 mijë metra katrorë dhe ka parking, zona aksesi dhe zona teknike.
Po ashtu, ka ambiente sportive përfshirë 3 fusha basketbolli, 1 fushë minifutbolli, 2 fusha tenisi.
Ekoparku ka po ashtu një kopsht botanik, climbing wall-in më të lartë në Ballkan 28 m, kodrat me hapësira ekologjike, kënde lojërash, hapësira dedikuar aktiviteteve sportive etj.