16 trupa teatrale nga trojet shqiptare dhe jo vetëm, janë bërë bashkë në Elbasan duke nisur kështu edicionin e 25-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘Skampa 23’.
Drejtori i festivalit, regjisori Adonis Filipi u shpreh se koncepti i këtij organizimi katër ditor, është i larmishëm ndërsa i shërben promovimit të kulturës teatrale jo vetëm në kufijtë kombëtarë por edhe rajonalë e botërorë.
ADONIS FILIPI
DREJTOR I FESTIVALIT “SKAMPA 23”
“Trupat vijnë nga Italia, Spanja, Franca, Kazakistani, Polonia..janë edhe trupat shqiptare me një larmi stilesh dhe formash teatrale që i shërbejnë promovimit të kulturës sonë. 25 vite rrugëtim kanë një domethënie shumë të madhe për suksesin dhe rëndësinë e këtij festivali.”
Organizatorët gjithashtu theksojnë se festivali ndërkombëtar i teatrove ka shërbyer si një laborator i mirëfilltë për plejadën e artistëve të rinj ndërsa paralelisht ka edukuar spektatorin përmes artit.
Duke nënvizuar vlerat që kanë përcjellë në rrugëtimin e tyre 25-vjeçar, ata kërkojnë që të mbështeten nga Ministria e Kulturës.