Regjistri online ende nuk është vënë në punë, edhe pse ka një muaj që ka filluar mësimi për vitin shkollor 2023-2024 dhe mësuesve ju është komunikuar se për herë të parë, dokumentacioni shkollor do të plotësohet vetëm elektronikisht, duke hequr regjistrat e letrës.
Arsimtarët nuk logohen dot në platformën digjitale, si dhe prindërit nuk marrin informacione në kohë reale për fëmijët e tyre. Notat dhe mungesat e nxënësve deri më tani nuk njihen ligjërisht, pasi mësuesit po hedhin vlerësimet në fletoret e tyre personale deri sa smip.al të kthehet funksional, gjë që lë vend për abuzime.
“Nuk më hapet, s’është funksional. Më duket se nuk jemi gati se jo të gjithë mësuesit janë të përditësuar me teknologjinë si dhe nuk kanë mjete ku të punojnë, i plotësojnë më shumë në telefona. Se djali im që është në klasë të gjashtë për shembull nuk ka laboratorë informatike apo internet në shkollë”, shprehet një prind.
Kur prindërit hapin regjistrin online, shohin të dhënat e fëmijëve për vitin e kaluar shkollor, ose e gjejnë faqen e boshatisur, pa asnjë notë të përditësuar në platformën smip.al. Si dhe ka nga ata familjarë që nuk kanë dijeni për ekzistencën e tij.
“Nuk e kisha dëgjuar më parë. Po s’jemi gati ende ne për regjistrin online”, shprehet një gjyshe.
Smip.al synohej të zëvendësonte regjistrin e letrës, por mësuesit akoma nuk kanë as njërin as tjetrin si mjet pune, teksa ngrenë shqetësimin për mungesën e kushteve për të plotësuar regjistrin online.