Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij në forumin “Global Gateway Forum 2023”, në Bruksel, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, është shprehur se Shqipëria një vend që rrethohet nga kufijtë e BE-së, po ende nuk është BE, port sipas tij “vetëm E, pa B”.
Kreu i qeverisë është shprehur ndër të tjera se Shqipërisë i është dashur të bashkëjetojmë me një lloj ndjenje izolimi, që sipas tij ka bëre që “të jemi ndjerë gjithmonë sikur ishim të dënuar të ishim qytetarë të dorës së dytë të këtij kontinenti”.
“Nuk mendoj se ka pasur ndonjë Komision më përpara, së paku mesa kujtoj, që i është dashur të merret me një rrjedhë kaq të pabesueshëm ngjarjesh, nga pandemia deri tek agresioni rus në Ukrainë dhe pak javë më parë me mizorinë, dëshmitarë të së cilës qemë të gjithë, në Izrael.
Nga ana tjetër, më duhet të them që të gjitha këto ngjarje kanë ndihmuar për ta formësuar punën e Komisionit në një mënyrë që ka qenë mjaft e dobishme, sidomos për ata të cilët janë ndjerë të lënë mënjanë më parë. Ashtu siç mund të dëshmojnë miqtë tanë afrikanë apo të tjerë, edhe ne mund ta dëshmojmë.
Unë vij nga një vend që quhet Shqipëri që është pjesë e një rajoni i cili quhet Ballkan. Ballkani Perëndimor i thonë, e që rrethohet nga kufijtë e BE-së por ne nuk jemi BE, jemi vetëm E, pa B!
Na është dashur të bashkëjetojmë me këtë, me një lloj ndjenje izolimi, jo në kuptimin e tmerrshëm me të cilin ky term shfaqet në kujtesë, por në një mënyrë të tillë që jemi ndjerë gjithmonë sikur ishim të dënuar të ishim qytetarë të dorës së dytë të këtij kontinenti dhe kjo ka ndryshuar dhe po ndryshon dita-ditës”, u shpreh Kryeministri.
Më tej kryeministri e ka cilësuar Bashkimi Europian si një krijesë mjaft të vështirë për tu marrë, e qe sipas tij, “duhet të kesh nerva mjaft të forta, duhet të jesh mjaft i përgatitur për të mos ta lënë të të zërë depresioni para se të të zërë BE-ja”.
“Europa, dhe meqë ra fjala Bashkimi Europian, ne jo ende, është një krijesë mjaft e vështirë për tu marrë, duhet të kesh nerva mjaft të forta, duhet të jesh mjaft i përgatitur për të mos ta lënë të të zërë depresioni para se të të zërë BE-ja.
Ndërkohë, është dashuri e ashpër. Është një rrugë që duhet ta përshkosh e ku merr mësime dhe ku për shkak të zhgënjimit, ndonjëherë mendon se ka rrugë të lehta në drejtime të tjera, por më duhet të them që në asnjë drejtim tjetër nuk do të gjesh një mik e një aleat që është i fortë e që kurrë, asnjëherë nuk do të të sulmojë. E që kurrë, asnjëherë nuk do sulmojë askënd e që gjithmonë do të përpiqet të ndihmojë gjithkënd e ky është Bashkimi Europian”, tha Rama.