MENU
klinika

Thoma Turtulli

Njeriu që i dhuroi Korçës bibliotekën, kinemanë, spitalin e jetimoren

19.11.2023 - 12:10

Më 19 nëntor 1937 ndërroi jetë bamirësi i shquar Thoma Turtulli, i cili i dhuroi Korçës, një ndër qytetet më të kulturuara të Shqipërisë, bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren.

Dikur e njihnin të gjithë. Sot pak njerëz në Korçë e jashtë saj dinë për të. Ai ishte një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar, shembull që duhet ndjekur edhe sot nga kushdo.

Ishte bamirësi që i dhuroi Korçës, qytetit më të kulturuar të Shqipërisë: bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren.

Filantropi që shpëtoi nga vdekja e sigurt me dhjetëra njerëz, por nuk shpëtoi dot vetveten prej saj.

Ishte ai që përgatiti pajën e shumë familjeve të vobekta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrav. Por sistemi i kuq monstruoz, u soll egërsisht me familjen Turtulli. Kur varrezat e Korçës u zhvendosen nga kisha e Shën Mërisë, u prish në mënyrë barbare varri monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e Filantropit të Madh nuk dihet ku përfunduan.

Urrejtja patologjike e Enver Hoxhës ndaj kësaj familje, bëri që një nga filantropistët më të njohur e të mëdhenj në Ballkan e më gjerë, Thoma Turtulli – të mos ketë sot as varr.

Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojën. Por njësoj, si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tre herë. Zjarrvënësit ishin po të njëjtët.

Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe bëhet një prej familjeve më të njohura tregtare të kohës. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregëti me Durresin, Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin .

Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti europian.

Kështu në qytetin e Korçës më 25 dhjetor 1927-ë, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.

Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA-ës.

Kështu që biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-ën, numëronte rreth 30000 libra, asaj kohe.

Korçës së kulturës biri dhe filantropi i madh, Thoma Turtulli i dhuroi edhe, liceun këtë vatër dije, brenda e jashtë Shqipërisë. Kurse spitali i qytetit u inaugurua me 1934-ën.

Pas përfundimit të tij bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.
Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me Urdhërin e Skënderbeut. Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vete punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia.

Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, i cili solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot. Veprat e këtij bamirësi të madh edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbolli në këtë qytet, Thoma Turtulli e filantropë të tjerë me emër.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët