MENU
klinika

Vendimi

Afera “Partizani”, Jamarbër Malltezi lirohet nga burgu

21.11.2023 - 13:13

Jamarbër Malltezi i shpëton burgut.

Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit liroi sot nga paraburgimi dhëndrin e ish kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin duke ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie. Malltezi u arrestua për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.

Ndërsa ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për Sali Berishën, detyrim  me paraqitje të hënën e parë dhe të hënën e tretë të çdo muaji dhe ndalim të udhëtimit jashtë Shqipërisë.

Vendimi i Apelit u komunikua për gazetarët nga avokati i Berishës Genc Gjokutaj.

Gjykata shpalli vendimin, duke miratuar Berishën, ndryshon pjesën për Maltezin, duke caktuar masën e sigurimit arrest shtëpie. Kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje, Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Ky është kallëzimi dhe regjistrimi i procedimit brenda një dite. E pamundur që për çështje te tilla, brenda një dite kalendarike pune të regjistrohet kallëzimi dhe procedim“-tha Gjokutaj.

Avokati Gjokutaj tha se nuk do të lihet me kaq duke bërë të qartë se do të bëjë rekurs në gjykatën e Lartë.

‘Ne do vijojmë betejën. Është një betejë e gjatë” tha Gjokutaj për gazetarët.

Vendimi i plotë i Apelit të GJKKO”:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B.

– Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë:

– Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

– Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.

– Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë.