MENU
klinika

Zef Deda

Mesazhe për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit

24.11.2023 - 15:30

Mesazhe të shumta ngushëllimi u përcollën sot ndërsa u mësua lajmi se u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit, aktori i dashur për publikun e shumë brezave, Zef Deda.

Begaj: Zef Deda, mjeshtri i pazëvendësueshëm shkodran

Presidenti Bajram Begaj përcolli mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit, Zef Deda ndërsa vlerësoi se u shua ikona e humorit, Mjeshtri i Madh, Zef Deda.

“Lajmi për ndarjen e tij nga jeta prek çdo shqiptar që ka shijuar humorin dhe artin e mjeshtrit të pazëvendësueshëm shkodran. Lamtumirë njeriut që solli gëzim në shtëpitë e shqiptarëve edhe në momentet e vështira!”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Nikolla: Zef Deda, figurë emblematike

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit Zef Deda.

“Sot kultura shqiptare humbi Artistin e Merituar, Mjeshtrin e Madh, humoristin e shquar, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, Zef Dedën. Për rreth gjysëm shekulli, personazhet që solli në skenën dhe komedinë shqiptare Zef Deda janë bërë pjesë e humorit dhe e jetës së shqiptarëve. Me krijimtarinë dhe rolet e tij Zefi është bërë një figurë emblematike dhe alter ego e personazheve të paharruar të humorit shqiptar. U prehsh në paqe, Mjeshtër!”, shkroi Nikolla në rrjetet sociale.

Basha: Humbje e madhe për artin shqiptar

Kryetari i PD, Lulzim Basha përcolli mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh Zef Deda.

“Lamtumirë Zef Deda, mjeshtri i madh i humorit, që me talentin gjenial u dhuroi buzëqeshje shqiptarëve në kohë të mira e në kohë të vështira, si ato të diktaturës. Një humbje e madhe për artin shqiptar, për artëdashësit e në veçanti për Shkodrën, shpirtin e të cilës Zef Deda e mishëronte me një stil që do të mbetet i pavdekshëm. Ngushëllime të sinqerta familjes Deda, kolegëve, miqve dhe dashamirësve të shumtë të Zefit. U prehtë në paqe!”, shkroi Basha

Margariti: Shqipërisë sot iu shua një buzëqeshje

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në mesazhin e saj për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur të humorit, Zef Deda shkroi në rrjetet sociale se Shqipërisë sot iu shua një buzëqeshje, një dritë që na ndriçonte në kohë të errëta! “U prehsh në paqe Zef Deda!”, shkruan ministrja Margariti.

Veliaj: U prehsh në paqe Mjeshtër i Madh

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Madh, aktorit të humorit Zef Deda.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj e cilëson Zef Dedën emblemë të humorit shqiptar. “Fort i trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të emblemës së humorit shqiptar, aktorit Zef Deda. U prehsh në paqe Mjeshtër i Madh”, u shpreh Veliaj.

Zef Deda u nda sot nga jeta në Shkodër, në moshën 73-vjeçare. Ai vuante prej pak kohësh nga një sëmundje e rëndë.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët